Ministrja e Shëndetësisë në Shqipëri, Ogerta Manastirliu, ka thënë të hënën se Shqipëria ka rrezik të ulët për përhapjen e virusit të lisë së majmunëve.
Ogerta Manastirliu në Facebook ka thënë se ka nisur zbatimi i planit të masave të shëndetit publik për çdo situatë.
“Diskutuam këtë mëngjes me ekspertët e Komitetit Kombëtar të Vaksinimit në Institutin e Shëndetit Publik, për planin e masave për virusin e lisë së majmunëve,” ka thënë Manastirliu.
“Vendi ynë ka risk të ulët për përhapjen e këtij virusi, megjithatë ka nisur zbatimi i planit të masave të shëndetit publik për çdo situatë. Mirënjohje për profesorët e nderuar Eduart Kakariqi, Gjeorgjina Kuli, Genc Sulçebe, Najada Çomo, Aida Bushati, Silva Bino, Eugena Tomini për seriozitetin dhe punën e palodhur në përgjigje të çështjeve të shëndetit publik”, ka shtuar ministrja e Shëndetësisë në Shqipëri.