Partia e Shaip Kamberit në Serbi do të kërkojë ripërsëritje të votimit në qendrën e votimit në Tërnoc të Bujanocit.
Kamberi për Portali D, ka konfirmuar se një ekip juridik është duke punuar që t’i vërtetojë pretendimet e tij për parregullsi në qendrën e votimit në Tërnoc.
“Po, do të dorëzojmë ankesë, deri sonte në ora 20 kemi afat. Ekipi juridik po punon, ka disa arsye që e mbështesin kërkesën tonë”, ka thënë ai shkurt.
Pas ripërsëritjes së zgjedhjeve në vendvotimin e Shkollës Fillore “Muharrem Kadri”, Kamberi nuk kishte arritur t’i marrë votat e mjaftueshme për t’u rizgjedhur deputet në parlamentin e Serbisë.
Për ta fituar postin e deputetit, Kamberi është dashur të ketë minimumi 610 vota.
Në vendvotimin në shkollën fillore “Muharrem Kadri” votuan 618 nga 1050 votuesit e regjistruar. Shaip kamberi, i cili ishte kandidati i vetëm shqiptar e që kishte shanset të bëhej edhe për një mandat deputet në parlamentin e Serbisë, rivotimin në këtë vendvotim e kishte quajtur tendencë të autoriteteve serbe për ta ndërruar rezultatin.
Në këtë vendvotim ishte hera e tretë që po votohej këtë vit. Edhe Kamberi ka garuar tri herë këtë vit për postin e deputetit, herën e parë nuk ishte zgjedhur deputet, pastaj kur u përsëritën zgjedhjet ai mori votat e mjaftueshme. Prapë u përsëritën zgjedhjet në vendvotimin e shkollës “Muharrem Kadri”, ku jozyrtarisht është bërë e ditur se Shaip Kamberi nuk do të jetë deputet në legjislacionin e Serbisë.
Kamberi e kishte akuzuar shtetin serb se me qëllim i ka pasivizuar listat e votuesve shqiptarë për t’i dëmtuar partitë dhe kandidatët shqiptarë në gara elektorale.
“Në këtë listë kemi persona të pasivizuar, dhe kemi nga ata në diasporë disa nga ta kanë ardhur, por një numër i madh nuk kanë ardhur”, ishte shprehur Kamberi.