PE debaton për zgjedhjet në Serbi, rezoluta do të miratohet në shkurt

Komisioni Evropian ka thënë se pret që Serbia t’i hetojë në mënyrë transparente të gjitha ankesat për parregullsi gjatë zgjedhjeve të mbajtura më 17 dhjetor të vitit të kaluar. Debati për Serbinë është përfshirë në agjendën e seancës plenare të Parlamentit Evropian pasi një grup partish politike kërkuan një debati të jashtëzakonshëm

Një seancë plenare e Parlamentit Evropian. Fotografi nga arkivi.

Komisioni Evropian ka thënë të mërkurën se pret që Serbia t’i hetojë në mënyrë transparente të gjitha ankesat për parregullsi gjatë zgjedhjeve të mbajtura më 17 dhjetor të vitit të kaluar.

Kështu ka thënë Komisionari evropian Didier Reynders, i cili ka përfaqësuar Komisionin Evropian në debatin për zgjedhjet në Serbi, që është zhvilluar në Parlamentin Evropian.

Sipas tij, shqyrtimi i parregullsive vlen edhe për burimet lokale, si në Beograd, ashtu edhe në komunat tjera.

Reynders ka thënë se pret që Serbia t’i zbatojë menjëherë të gjitha rekomandimet e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

“Ne jemi të gatshëm të mbështesim Serbinë në zbatimin e këtyre rekomandimeve. Po ndjekim me vëmendje protestat në Serbi, pas zgjedhjeve. Më lejoni të nënvizoj rëndësinë dhe të drejtën e mbajtjes së demonstratave paqësore. Në të njëjtën kohë dhuna nuk është zgjidhje dhe nuk është e pranueshme”, ka thënë ai.

Debati për Serbinë është futur në rendin e ditës të seancës plenare të Parlamentit Evropian pasi një grup partish politike kanë bërë kërkesë për mbajtjen e një debati të jashtëzakonshëm.

Kërkesa është bërë prej socialdemokratëve, liberalëve, të gjelbërve dhe të majtëve.

Gjatë debatit të 17 janarit, dorëzuesi i kërkesës, Andreas Schider, ka thënë se në vend që të kërkohet transparencë, “presidenti dhe kryeministri i Serbisë kritikojnë vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve në mënyrën më të ashpër dhe më të keqe”.

Ndër parregullsitë në zgjedhje, ai përmendi “votuesit fantazmë, blerjen e votave si dhe raportimin e njëanshëm mediatik”.

Parlamenti Evropian e ka pasur një mision vëzhgues për zgjedhjet në Serbi. Në krye të misionit ka qenë përfaqësuesi evropian, Klemen Groshell.

Përgjatë debatit, ai e ka përsëritur se janë konfirmuar parregullsitë në procesin zgjedhor, të cilat, sipas tij, dëshmojnë se vendi ka problem serioz në përmbushjen e standardeve themelore demokratike dhe në zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Popullistët evropianë janë përpjekur që të pengojnë debatin për Serbinë, duke iu referuar mospublikimit të raportit përfundimtar të vëzhguesve ndërkombëtarë.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale dhe krahinore janë mbajtur në Serbi më 17 janar.

Koalicioni opozitar, “Serbia kundër dhunës”, nuk i pranon rezultatet dhe kërkon përsëritjen e zgjedhjeve, duke deklaruar se partia në pushtet, Partia Përparimtare Serbe (SNS) ka fituar me vjedhje elektorale.

Kjo parti dhe liderët në pushtet i mohojnë akuzat.

Prej kur janë mbajtur zgjedhjet, një pjesë e opozitës ka organizuar çdo mbrëmje protesta me kërkesën për anulimin e rezultateve.

Zgjedhjet në Serbi do të diskutohen sërish në Parlamentin Evropian, javën e ardhshme.

Debati do të mbahet në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, më 23 janar.

Pas diskutimit të mbajtur, të mërkurën, më 17 janar, Parlamenti Evropian pritet të miratojë rezolutë për këtë çështje, në një seancë plenare që do të mbahet në muajin shkurt./ REL

Shija e redaktorit

Takimi i shefit të CIA-s dhe atij të AKI-së, në...

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka dhënë detaje për takimin në mes të shefit të CIA-s, William Burns dhe drejtorit të kësaj agjencie,...

Libraria Dukagjini lehtëson blerjen e teksteve shkollore, hap pikën e...

Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, Libraria Dukagjini është kujdesur që t’ua lehtësoj procesin e blerjes së librave për prindërit dhe...

Prindërit vazhdojnë furnizimin me tekste shkollore, interesim i lartë për...

Çdo shtator, sikurse qëllimin edhe adresën e kanë po të njëjtën. E këtë vit, edhe pakënaqësitë. Së bashku me fëmijët, prindër të shumtë kanë filluar...

Të fundit nga rubrika