Gjendja e vajzës 23-vjeçare e cila u lëndua nga rënia e një pjese të kulmit të objektit të komunës së Prishtinës, në lagjen “Arbëria” është stabile, por se ka lëndime të rënda.
Shpend Fazliu, Zyrtari për informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka konfirmuar se viktima është 23-vjeçare dhe se pas 4 orëve pritet t’i kryhen ekzaminime shtesë diagnostike dhe të transferohet për trajtim të mëtejmë në Mjekim Intensiv.
“Ju konfirmojmë se një paciente 23 vjeçare është duke u trajtuar në Klinikën Emergjente, me gjendje stabile por me lëndime të rënda trupore. Ekipi emergjent dhe ai klinikave diagnostike ka kryer disa nga ekzaminimet e nevojshme dhe pacientja do të jetë në mbikqyrje mjekësore. Pas 4 orëve pritet t’i kryhen ekzaminime shtesë diagnostike dhe të transferohet për trajtim të mëtejmë në Mjekim Intensiv Qendror”, ka thënë Fazliu.
Perimetri i sigurisë është zgjeruar, për shkak se policia po vlerëson se ende ka rrezik për shkak të erës së fuqishme që po vazhdon të qarkullojë në afërsi të objektit të ri të komunës së Prishtinës.
Ndryshe, më herët këtë për portalin Dukagjini e ka konfirmuar Policia e Kosovës.
“Rreth orës 13:00, është raportuar se në rrugën “Nora e Hotit” në Prishtinë, një person ka marrë lëndime si pasojë e goditjes nga materiale që janë shkëputur nga çatia e një objekti. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në informacionet e para është raportuar për një person të lënduar, femër, e cila është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Aktualisht policia ka nisur punën për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë Agron Borovci, zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës.
Një e lënduar si pasojë e rënies së kulmit të ndërtesës së komunës në Prishtinë