Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka publikuar disa të dhëna të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).
“- 43.4% e familjeve nuk mund të përballojnë një shpenzim të papritur prej 100 eurove nga burimet e tyre vetanake; – 49.2% e familjeve nuk mund të mbulojnë shpenzimet e një shujte çdo dy ditë që përfshinë mishin, pulën dhe peshkun; – 48.8% e familjeve kanë deklaruar se pagesa e borxheve është barrë e rëndë financiare; – 8.1% e familjeve kishin vështirësi të mëdha, ndërkaq 20.1% përballeshin me vështirësi, në kryerjen e pagesave të nevojshme të zakonshme të familjes, marrë parasysh të ardhurat”, thuhet në këto të dhëna.
Hoti ka thënë se shkaktari kyç i kësaj situate është inflacioni, por, sipas tij, thellimi i krizës ka ardhur si rezultat i mungesës së masave adekuate për të zbutur pasojat e inflacionit për familjet.
“E kemi ngritur vazhdimisht në Kuvend dhe jashtë Kuvendit, se ndihma e njëhershme nuk është zgjidhje për zbutjen e pasojave të inflacionit. Tani këtë po e dëshmojnë statistikat e Qeverisë”, ka shkruar ai.
Deputeti nga radhët e LDK-së ka propozuar këtë zgjedhje: indeksimi i pensioneve dhe i asistencës sociale, së paku aq sa ka qenë inflacioni, në mënyrë që të ruhet standardi minimal i jetës së familjeve më të cenueshme nga inflacioni, si dhe zgjerimi i përkohshëm i listës së mallrave me normë të reduktuar të TVSH-së prej 8 për qind.