Një qytetar serb nga komuna e Zveçanit, i cili ka preferuar të mbetet anonim, ka thënë se një shqiptar nuk mund të jetë kryetar komune me një përqindje votash prej 3 për qind.
Ai ka shtuar peticioni për shkarkimin e kryetarit Ilir Peci është tregues i qartë që qytetarët janë pro zgjedhjes së një kryetari legjitim.
Përveç kësaj, ai ka bërë thirrje për një zgjedhje të drejtë dhe legjitime, duke i lënë popullit mundësinë të shprehet dhe të vendosë për kryetarin e tyre.
“Që shqiptari të bëhet kryetar në komunën e Zveçanit, kjo nuk është legjitime. Populli e ka treguar se është për zgjedhjen e kryetarit legjitim. Le ta thotë populli fjalën e vet. Nuk mundet që një shqiptar me 3 për qind të votave ta drejtojë një komunë. Askund në botë nuk ndodh kjo”, ka thënë ai, transmeton EO.
Ai ka mbështetur idenë e bashkëjetesës me shqiptarët në Zveçan dhe ka theksuar se dëshiron të jetojë dhe të punojë në këtë komunë së bashku me të gjithë komunitetin, pavarësisht prej prejardhjes së tyre etnike.
Kjo, sipas tij, do të kishte një bazë të fortë reale dhe të sinqertë për bashkëjetesën në këtë rajon.
Ai, gjithashtu, ka shprehur qëllimin e tij për të jetuar dhe punuar në këtë komunë me shqiptarët dhe serbët.
“Ne duam që të bashkëpunojmë me shqiptarët dhe të jetojmë së bashku në këto hapësira. Mbi baza reale e të sinqerta të jetojmë pranë njëri-tjetrit. Kosova është e tyre, por edhe e jona që jetojmë këtu. Personalisht kam dhënë dëshmi se dua të jetoj këtu me shqiptarët, sepse kam biznesin tim dhe dua që të jetoj këtu me familjen time. Nuk dua që me tre fëmijët e mi të detyrohem të shpërngulem. Dua të jetoj e të punoj këtu së bashku me shqiptarët dhe serbët”, është shprehur ai.
Nis peticioni në Zveçan për shkarkimin e kryetarit Ilir Peci
Tashmë, përveç në Mitrovicë të Veriut dhe në Leposaviq, edhe në Zveçan ka nisur procesi i mbledhjes së nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit të komunës, Ilir Peci.
Ndonëse jo me të njëjtin ritëm si të mërkurën, edhe të enjten pati të interesuar për nënshkrimin e peticionit për shkarkimin e kryetarit të komunës së Mitrovicës së Veriut.
Anëtarët e grupit iniciues supozojnë se numri i nënshkrimeve të grumbulluara në këto dy ditë ka shkuar në mbi 3 mijë, e që do të tejkalojnë 20%-shin e kërkuar për të kaluar në fazën e dytë.
Ndërkohë që pritet që nënshkrimet të mblidhen edhe për shkarkim të kryetarit të Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri.
Sipas udhëzimit administrativ të hartuar nga Ministria e Pushtetit lokal, në këso raste duhet të mblidhen të paktën 20% të nënshkruesve të votuesve të komunës përkatëse.
Në rast të suksesit të peticionit, i hapet rruga votimit për shkarkimin e kryetarëve të bashkive, që kërkon 50% + 1 votë të qytetarëve.
Afati i mbledhjes së nënshkrimeve për shkarkim të kryetarëve në Leposaviq, Mitrovicë të Veriut e Zubin-Potok përfundon më 22 janar, ndërsa në Zveçan më 27 janar.