Haliti thotë se politika dhe kryeprokurori i shtetit u organizuan ta eliminonin nga gara për deputet

Këtë deklarim i akuzuari Haliti e ka dhënë në fjalën përfundimtare në rastin ku po akuzohet për sulm ndaj deputetit të LDK-së, Arben Gashi, që kishte ndodhur në maj 2018 në sallën ku mbahen seanca plenare të Kuvendit të Kosovës

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka thënë se gjithë procesi gjyqësor ndaj tij është nisur me qëllim që ta eliminojnë nga mundësia për t’u zgjedhur deputet. Ai ka thënë se ky organizim kundër tij është bërë nga politika dhe nga kryeprokurori i shtetit.

Këtë deklarim i akuzuari Haliti e ka dhënë në fjalën përfundimtare në rastin ku po akuzohet për sulm ndaj deputetit të LDK-së, Arben Gashi, që kishte ndodhur në maj 2018 në sallën ku mbahen seanca plenare të Kuvendit të Kosovës.

“Ata që kanë pas për qëllim edhe në të kalumen edhe procesin kur e kanë fillu të më eliminojnë nga mundësia për t’u zgjedhur si deputet, përkatësisht për të marrë pjesë në garë, ka qenë një akt i kombinuar dhe i organizuar edhe nga politika, edhe nga kryeprokurori i shtetit. Ata që e kanë urdhëruar kryeprokurorin e shtetit”, ka thënë i akuzuari Haliti.

Haliti nuk ka përmendur emra se kush ishte organizuar kundër tij derisa në kohën kur kishte ndodhur rasti në Kuvend, kryeprokuror i Shtetit ka qenë Aleksander Lumezi, derisa në pushtet ishte koalicioni i PAN-it, ku bënte pjesë edhe PDK-ja derisa kryeministër ishte Ramush Haradinaj.

Sidoqoftë, tha se ajo çka ka ndodhur nuk ka qenë e qëllimshme dhe se beson që gjykata do të marrë vendimin e duhur nëse ai është fajtor.

“Të gjithë jemi të barabartë para ligjit, jom mbështetës i kësaj ideje, kom luftu për këtë dhe edhe kundër vetvetes qoftë se duhet mu deklaru”, ka shtuar ai.

Haliti në konsultim me avokatin e tij, Kujtim Kërveshi, ka hequr dorë nga ankesa për ta përjashtuar gjykatësin nga lënda, me arsyetimin se nuk dëshirojnë të zvarrisin procesin gjyqësor.

Në anën tjetër, në fjalën përfundimtare, prokurori i shtetit, Besnik Jakupi, ka deklaruar se prokuroria konsideron se me rastin e administrimit të provave personale dhe materiale, në mënyrë të plotë është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale në kohë, vend dhe mënyrë të përshkruar si në dispozitivin e aktakuzës.

Sipas prokurorit Jakupi, gjendja faktike në tërësi u vërtetua nga prova materiale, siç është videoincizimi, duke kërkuar nga gjykata që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

Kurse, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Ahmet Tahiri ka mbështetur fjalën përfundimtare të dhënë nga prokurori i shtetit, duke shtuar se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor është vërtetuar përtej çdo dyshimi të bazuar mirë se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

I njëjti ka kërkuar nga gjykata që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit, në atë mënyrë që edhe në publik të dërgohet mesazh i drejtë se të gjithë jemi të barabartë para ligjit.

Në anën tjetër, avokati Kërveshi tha se fjalën e tij përfundimtare e ka përgatitur me shkrim duke e elaboruar të njëjtën.

Ai tha se fjala përfundimtare e prokurorit dhe e përfaqësuesit të palës së dëmtuar nuk është në përputhje me vetë deklarimin e palës së dëmtuar dhe se provat në shqyrtim nuk janë thënie të prokurorit e as të përfaqësuesit të palës së dëmtuar, por janë deklarimet e sakta dhe autentike të palës së dëmtuar.

Sipas avokatit Kërveshi, duke qenë se po kërkohet që ky gjykim të jetë mesazh publik, gjykimet me mesazhe publike janë dhënë në kohët e tjera.

“Sidomos në pjesën ku jetojmë përveç në vendet e tiranisë, aty ku është zbatuar Konventa për të Drejtat e Njeriut, gjykimet nuk bëhen në publik. Organi i akuzës ka parashtruar një aktakuzë ku arsyetimin e të njëjtës e ka në shpërputhje me provat të cilat i ka propozu”, tha avokati Kërveshi.

Ndryshe, më 16 janar 2024, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, e ka refuzuar kërkesën e mbrojtësit të deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, avokatit Kujtim Kërveshi, për përjashtimin e gjykatësit Driton Berisha nga rasti ku Haliti akuzohet për sulm ndaj deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, që kishte ndodhur në maj të 2018-s.

Kurse, ky rast më parë ishte gjykuar nga gjykatësja Sulltane Hoti, mirëpo pas kalimit të saj në Departamentin e Krimeve të Rënda, tani gjykohet nga gjyqtari Driton Berisha.

Në tetor të 2019-s, Gjykata Themelore në Prishtinë sipas urdhrit ndëshkimor, i kishte dënuar me nga 1 mijë e 250 euro gjobë deputetin e PDK-së, Xhavit Haliti (për “Sulm”) dhe ish-deputetin e AAK-së, Gani Dreshaj (për “Kanosje”), të deputetit të LDK-së, Arben Gashi.

Për Dreshajn, gjyqtari Berisha tha se e ka pranuar urdhrin dhe ka bërë kërkesë për kthim në gjendjen e mëparshme për ta zënë afatin për kundërshtim, por bazuar në shkresat e lëndës, nuk ka vendim për atë kërkesë nga gjyqtarja Hoti.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur në maj të vitit 2019 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari Xhavit Haliti më 18 maj 2018 në Kuvendin e Kosovës në Prishtinë me dashje ka sulmuar deputetin- tani të dëmtuarin Arben Gashi, duke e shtyrë me krahë dhe bërryl në gjoks.

Me këtë, Haliti po akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulmi” nga neni 187, par.1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Ndërsa, deputeti Gani Dreshaj thuhet se po të njëjtën ditë, me dashje, e kishte kanosur deputetin Gashi me fjalët “Kom me ta prishë fytyrën”./BetimipërDrejtësi

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika