Instituti Hidrometeorolgjik i Kosovës (IHMK) ka publikuar të dhënat për shpejtësinë e erës në kohën kur ndodhi shembja e kulmit të objektit të ri të Komunës së Prishtinës.
Sipas IHMK-së, niveli i shpejtësisë së erës, nuk mund të shkaktojë dëme.
Besim Aliu, Koordinator dhe Parashikues i Motit në IHMK tha se stacioni automatik regjistron vlerat e shpejtësisë së erës çdo 5 minuta, raporton Kallxo.com.
“Në intervalin kohor prej orës 00 deri në orën 23:55 ka regjistruar shpejtësinë maksimale 9.8m/s ( 35.2km/h). Shpejtësia max 9.8m/s (35.2km/h),u regjistrua në orën 13:05. Shpejtësia e erës e regjistruar dje 9.8m/s, i përgjigjet shkalles së Boforit 5, që d.m.th erë mesatarisht e fortë (drunjtë e vegjël me gjethe fillojnë të tunden, lëvizë flamujt e të ngjashme), që d.m.th se kjo shpejtësi e regjistruar nuk mund të shkaktoj kurrfarë dëme”- thuhet në njoftimin e Institutit Hidrometeorolgjik të Kosovës.
Sipas Institutit, vlen të ceket se stacioni regjistron shpejtësitë çdo 5min, gjë që le të nënkuptoj se brenda këtij intervali mund të ketë ndodhur ndonjë shpejtësi më e madhe dhe stacioni nuk e regjistron.
IHMK tutje potencon se dalin me njoftime për popullatën kur forca e erës është 7 bofora e më shumë, sepse forca e erës vlerësohet me 13 shkallë të Boforit.
Instituti ka ofruar të dhëna për pasojat që mund të shkaktojnë erërat, varësisht nga sa boforë mund të jenë.
- 6 Bofora – erë e fortë = Lëvizë degët e mëdha , ombrellat mbahen me vështirësi, ushtojnë telat e largpërçuesve.
- 7 Bofora – nënkupton shpejtësinë e erës 50-61 km/h = Erë shumë e fortë (luhatë pemët e tëra dhe lëvizja në drejtim të kundërt të erës është e vështirësuar)
- 8 Bofora – 62-74km/h = Erë Stuhie (Thyhen degët në pemë dhe bukur shumë është e vështirësuar ecja në hapësirën e lirë)
- 9 Bofora – 75 – 88km/h= STUHI( Shkaktohen prishje të vogla në shtëpi, rrënohen tymtarët dhe bijën tjegullat nga pullazet.
- 10 Bofora – 89-102km/h = Stuhi e fortë (i thyen ose i shkul pemët dhe sjellë dëme të konsiderueshme në ndërtesa)
- 11 Bofora – 103-117km/h= Stuhi e ngjashme me shtrëngatë (Shkakton dëme të mëdha dhe rrëzon pullazet e ndërtesave)
- 12 Bofora – mbi 117 km/h = Shtrëngatë-ORKAN. (Ka veprim shkatërrues)
Një 23-vjeçare ka pësuar lëndime të rënda gjatë ditës së enjte pasi e kishin zënë rrënojat e një pjese të kulmit të objektit të komunës në lagjen ‘Arbëria’ në kryeqytet.
Për këtë, komuna e Prishtinës shkaktar bëri erërat e forta.
Objekti i ri i komunës është ndërtuar në vitin 2009./Kallxo.com