Gjermania vazhdon t’ia kërkojë Kosovës zbatimin e obligimeve të ndjeshme që i ka shtyrë me vite, për të mundësuar anëtarësimin në Këshillim e Evropës.
Ambasada e gjermane në Prishtinë i ka thënë televizionit Dukagjini se këtu veçanërisht përfshihet zbatimi i vendimit për pronën e Manastirit të Deçanit ose themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Duke cituar raportin e raportuesve të Këshillit të Evropës, ambasada e Gjermanisë ka treguar rrugën që Kosova duhet të ndjekë për anëtarësim në këtë mekanizëm të rëndësishëm evropian.
“Tani i takon Kosovës t’i plotësojë ‘detyrat e shtëpisë’ të përshkruara në Raportin Ligjor të Avokatëve të shquar të publikuar më 27 nëntor për përfundimin me sukses të aplikacionit për anëtarësim. Kjo përfshin, në veçanti, zbatimin e hershëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për kontestin për tokën mbi Manastirin e Deçanit ose përmbushjen e zotimit për themelimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe. Raportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën kanë vizituar së fundmi vendin dhe raporti i tyre me rekomandimet që Kosova duhet të adresojë do t’i prezantohet së shpejti Asamblesë Parlamentare”, kanë thënë nga ambasada.
Përkundër këtij qëndrimi, zëvendësministri i Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, vlerëson që jo domosdoshmërisht çështja e pronave të manastirit në Deçan ndërlidhet me Këshillin e Evropës.
Sipas tij, Kosova është shembull në zbatimin e vendimeve, krahas faktit që ka edhe vende anëtare të Evropës që nuk zbatojnë vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Nuk e them që vendimet nuk duhet të zbatohen aspak, çështja është që kemi të bëjmë me disa çështje të ndjeshme dhe nuk është vetëm vendimi i rastit të manastirit të Deçanit, pra nuk duhet të marrim qasje arbitrare në përzgjedhjen e çështjeve që duhet të ngriten”, ka thënë Ahmeti.
Kurse sa i përket asociacionit, Ahmeti e vlerëson të paarsyeshme që anëtarësimi të kushtëzohen me themelimin e këtij mekanizmi, pasi thotë se ai nuk ka të bëjë asgjë me Këshillin e Evropës.
“Pra nuk është Kosova ajo që nuk ka ardhur me ide dhe gatishmëri që të ecet përpara, nuk është Kosova ajo që ka sulmuar një shtet tjetër nëpërmjet sulmeve terroriste sikurse ai i 24 shtatorit. Prandaj nuk shoh asnjë arsye që procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës të kushtëzohet me çështje që nuk ndërlidhen me Këshillin e Evropës”, ka theksuar Ahmeti.
Pa dhënë afate se kur do përfundojë procesi, Ahmeti shton se Raportuesja për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dora Bakoyani mbetet ta përfundojë raportin dhe më pastaj i njëjti të votohet në asamblenë parlamentare dhe si hap i fundit ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.