Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka kujtuar ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugovën, me rastin e 18-vjetorit të ndarjes nga jeta.
Me anë të një postimi në Facebook, Haradinaj tha se Rugova, me drejtësinë dhe vendosmërinë e tij, ndërtoi një lidhje të ngushtë me Perëndimin, veçmas duke shfaqur kujdesin në forcimin e miqësisë së përjetshme me ShBA.
Ai theksoi nderimin për angazhimin e Rugovës në shërbim të çështjes kombëtare në rrethana shumë të rënda për shqiptarët e për Kosovën.
“Presidenti Ibrahim Rugova, me drejtësinë dhe vendosmërinë e tij, ndërtoi një lidhje të ngushtë me Perëndimin, veçmas duke shfaqur kujdesin në forcimin e miqësisë së përjetshme me ShBA. Sot, në 18-vjetorin e ndarjes nga jeta e kujtojmë dhe nderojmë angazhimin e tij në shërbim të çështjes kombëtare në rrethana shumë të rënda për shqiptarët e për Kosovën. I jemi gjithmonë mirënjohës për kontributin historik për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, shkroi Haradinaj.