Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla ka reaguar ndaj ndarjes së 360 mijë eurove për Listën Serbe nga ana e KQZ-së.
Me anë të një postimi në “X”, Haradinaj –Stublla ka shkruar se vendimi i KQZ-së për ndarjen e këtyre mjeteve për Listën Serbe, është nëpërkëmbje e shtetit të Kosovës.
“Tani kur i gjithë kapaciteti diplomatik e politik i Kosovës është fokusuar për të pasur një reagim të qartë ndërkombëtar për rolin e Serbisë përmes lidershipit të Listës Serbe në agresionin e Banjskës – vendimi për dhënien e mjeteve kësaj organizate kriminale prej 360,000 euro nga KQZ është nëpërkëmbje e shtetit të Kosovës, mungesë ligjshmërie e integriteti nga institucionet e përgjegjëse, si dhe “amnisti” institucionale për agresionin e Banjskës dhe vrasjen e heroit Afrim Bunjaku”, shkroi ajo.
Sipas saj, nëse institucionet e vendit – specifikisht Presidentja e Kryeministri – vazhdojnë “të heshtin” këtë situatë të rrezikshme, atëherë ajo thotë se do të duhej të mbajnë përgjegjësi për rietablimin e serishëm në pushtet të organizatës kriminale Lista serbe në komunat veriore.
“Pres ndërhyrjen e Presidentes së vendit rreth vendimit skandaloz të KQZ-së, që përmes Kryesuesit – të ruajë integritetin e shtetit dhe të rikthejë ligjshmërinë në vendimet e KQZ-së. Poashtu, nëse vendimi është marrë përmes votimit të përfaqësuesve të partive politike në KQZ – atëherë duhet t’i mbajmë përgjegjëse edhe partitë politike – të cilat me gjasë kanë votuar pro vendimit për ndarjen e mjeteve për Listën Serbe për të mos rrezikuar fondet për partitë e tyre. (Presim publikimim e transkriptës së mbledhjes)”, tha më tej ajo.
Ajo konsideron se vendimi i KQZ-së duhet të rishikohet, dhe forca e ligjit të Republikës së Kosovës duhet të ndalojë organizatën kriminale “Lista Serbe” nga aktiviteti në territorin e Kosovës.
“E po ashtu – të parandalojë çertifikimin dhe pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet e ardhshme në komunat veriore nëse nuk duam t’ua servojmë me duart tona “parathënien për aneksimin” e veriut të Kosovës”.
LISTA SERBE TË MOS ÇERTIFIKOHET PËR ZGJEDHJE LOKALE!
Tani kur i gjithë kapaciteti diplomatik e politik i Kosovës është fokusuar për të pasur një reagim të qartë ndërkombëtar për rolin e Serbisë përmes lidershipit të Listës Serbe në agresionin e Banjskës – vendimi për dhënien e… pic.twitter.com/5S2wr2eM5B
— Meliza Haradinaj (@MelizaHaradinaj) January 21, 2024