Tre turistë nga Kosova janë shpëtuar pasi kishin mbetur në një terren të mbrehtë në veri të Shqipërisë, përkatësisht në malet e Valbonës.
Policia e Shqipërisë ka njoftuar se turistët kosovarë u shpëtuan pas një angazhimi të tyre në bashkëpunim me Emergjencat Civile të Kosovës.
“Rreth orës 11:00, Emergjencat Civile të Kosovës kanë njoftuar se 3 turistë nga Kosova, duke eksploruar alpet e Valbonës, me motorë bore, kishin mbetur të bllokuar, për shkak të terrenit të thepisur dhe me dëborë. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, në bashkëpunim me Emergjencat Civile të Kosovës, kanë organizuar punën dhe kanë nisur kërkimet, me qëllim lokalizimin e turistëve”, thuhet në njoftimin e Policisë përcjell Euronewsalbania.
“Pas disa orësh kërkime nga shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Emergjencat Civile të Kosovës, në vendin e quajtur ‘Ura Pojanes’, u lokalizua turisti që kishte mbetur i bllokuar, ndërsa 2 turistët e tjerë kishin arritur të dilnin në zonën e Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.