Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se në kuadër të takimit për konferencën e e Bashkimit Evropian “Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor”, do të dorëzojë listën e reformave të diskutuara.
Po ashtu, ai në fjalimin e tij në Shkup, ka bërë të ditur se në ditët në vijim do të dorëzojë edhe listën e projekteve indikative sa i përket reformave.
“Plani i rritjes nënkupton 6 miliardë euro për rajonin tonë, me ç’rast sasia e mjeteve që merret varet nga punët e mira që bëjmë dhe nga performanca e suksesshme që e tregojmë. Republika e Kosovës sot do të dorëzojë listën e reformave të diskutuara, ndërkaq ditëve në vijim do të dorëzojmë edhe listën e projekteve indikative. Sa i përket reformave, aty në qendër e kemi reformën e administratës publike dhe të menaxhimit të financave publike, ndërkaq të projekteve i kemi ato për agjendën e gjelbërt, digjitalizimin, investimet në sektorin privat dhe ngushtimin e hendekut infrastrukturor”, ka deklaruara Kurti.
Në nisje të takimit në kuadër të “Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor”, kryeministri Kurti ka falënderuar Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Maqedoninë e Veriut për këtë takim, i cili, sipas tij, do të mundësojë që të ketë sa më shumë bashkëpunim rajonal, por edhe ecje më të përshpejtuar drejt BE-së.
“[Bashkimi Evropian], që është edhe qëllimi edhe fati ynë”, ka shtuar Kurti.
Ai ka deklaruar se vlerat e BE-së duhet të bëhen reforma te ne, ndërkaq mbështetja e BE-së duhet të jetë edhe financiare.
Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, nën organizmin e kryeministrit maqedonas, po mbahet takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të BE-së e ShBA-së.
Këtë takim e ka cilësuar si hap të madh për t’u afruar me BE-në, edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Është një mundësi që nuk duhet ta humbim. Është një takim i rëndësishëm këtu sot. Një hap i madh për t’u afruar më shumë me Bashkimin Evropian. Konsideroj që është një mundësi për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të diskutojmë së bashku”, ka thënë në Rama në konferencë për media.
Liderët rajonalë të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarët të lartë do të diskutojnë për Planin e Rritjes për këtë rajon, i miratuar nga Komisioni Evropian.