Në këtë fundjavë, nga reshjet e borës, rrugët në disa qytete vazhdojnë të jenë ende të papastruara.
Një ndër këto raste është edhe Komuna e Obiliqit, ku përmes disa fotove të dërguara nga qytetarët në redaksi, shihet qartë që ka akull në rrugët e qytetit, përkatësisht në qendër; në shesh dhe në afërsi të tij.
Gjithashtu, përveç rrugëve, edhe trotuaret shihen se nuk janë pastruar, madje ato janë të mbuluara nga akulli.
Portali Dukagjini ka kontaktuar me drejtorin për Shërbime Publike dhe Emergjencë në Komunën e Obiliqit, Abdyrrahman Krasniqi.
Përkundër fotove që tregojnë qartazi gjendjen reale, Krasniqi është arsyetuar duke thënë se në rrugën që kalon përmes sheshit “Dëshmorët e Kombit” është bërë pastrimi dhe, sipas tij, ky është maksimumi që mund të bëjnë.
“Në këtë shesh është bërë traseja ku mund të ecin këmbësorët, sheshi nuk është i madh, 1.3 hektar, dhe nuk lejohet me hedhë kripë, sepse prishen kockat”, ka thënë Krasniqi.
Ndërsa, më 20 janar, Komuna e Obiliqit përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook ka treguar pamje se si po përkujdesej për pastrimin e rrugëve në këtë komunë, pas reshjeve të borës.
“Përveç rrugëve kryesore, puna po vazhdon në largimin e borës edhe në zonat më të thella, duke bërë rrugët me lehtë për qarkullim”, thuhej në njoftim.