Policia e Kosovës ka njoftuar se tre persona kanë raportuar për një mosmarrëveshje me një person të tjetër, i cili pas kësaj mosmarrëveshjeje ka shtënë disa herë me armë zjarri në një distancë rreth 150 metrave.
Siç thuhet në raportin 24-orësh të Policisë, zyrtarët policorë në konsultim me prokurorin kanë vepruar menjëherë.
Shtëpia e të dyshuarit është bastisur dhe në rezultat është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri revole me gaz, e cila dyshohet se është përdorur në rastin në fjalë.
Ndërkaq, i dyshuari nuk gjendet në vendin e ngjarjes dhe është ende në arrati.
“Ferizaj 22.01.2024-13:53. Tre ankues meshkuj kosovarë kanë raportuar se pas një mosmarrëveshjeje me të dyshuarin mashkull kosovar, i njëjti në një distancë rreth 150 metrave ka shtënë disa herë me armë zjarri. Në konsultim me prokurorin është bastisur shtëpia e të dyshuarit, me ç’rast është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri revole me gaz, e cila dyshohet të jetë përdorur në rast, ndërsa i dyshuari gjendet në arrati”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Rasti, sipas njoftimit të Policisë, është duke u hetuar.