Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili dhe ambasadori i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog janë takuar të martën ku kanë biseduar për Rregulloren për Operacionet me Paratë e Gatshme, e cila thekson se e vetmja valuta e vetme e vlefshme të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin kombëtar te pagesave në Republikën e Kosovës është euro.
E lidhur me këtë, Szunyog ka kërkuar sqarime.
Në njoftimin e BQK-së thuhet se me theks të veçantë, u sqaruan aspektet kryesore që trajton Rregullorja e re për Operacionet me Para të Gatshme dhe efektet e saj, avancimi i kornizës rregullative për kujdesin e duhur dhe luftimin e dukurisë së parave të falsifikuara dhe parandalimi i hyrjes së tyre në sistemin financiar, identifikimi dhe tërheqja e valutave të dyshimta nga qarkullimi, etj.
“Nga përfaqësuesit e BQK-së u sqarua se sikur edhe ndryshimet tjera legjislative edhe kjo Rregullore synon adaptimin e praktikave më të mira të Bashkimit Evropian, që lidhen me ruajtjen e integritetit të valutës Euro dhe sistemit financiar, luftimin ndaj parave të falsifikuara, pastrimit të parave, financimin e terrorizmit, informalitetit, si dhe avancon mbrojtjen dhe edukimin e qytetarëve nga dukuri të tilla të rrezikshme dhe të kundërligjshme.
Meqë Rregullorja është e aplikueshme për institucionet financiare dhe përcakton kërkesat ligjore dhe teknike për operacionet me para të gatshme, si e tillë nuk trajton apo kufizon transaksionet vullnetare ndërmjet individëve apo palëve që nuk janë subjekt i rregullimit të BQK-së”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, lidhur me takimin ka shkruar edhe ambasadori i BE-së, Szunyog.
Ai në një postim në X shkruan se Szunyog e ka pyetur Ismailin për punën e zbatimit të këtij vendimi pasi që pritet të ndikojë sidomos në jetesën e qytetarëve në zonat e banuara me shumicë serbe.
Met the Governor of #Kosovo's Central Bank, Ahmet Ismaili & discussed the amended regulation on Cash Operations, which also regulates the process of handling and withdrawal from circulation of euro banknotes and coins and other currencies suspected of being counterfeit (1/2). pic.twitter.com/J2iKqM8BX8
— Ambassador Tomáš Szunyog (@EUAmbKS) January 23, 2024
Ai ka thënë se është shqetësuese që ka shumë pak kohë për përshtatje para hyrjes në fuqi të rregullores.
“U takova me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili dhe diskutuam rregulloren e ndryshuar për operacionet me para të gatshme, e cila gjithashtu rregullon procesin e trajtimit dhe tërheqjes nga qarkullimi të kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe valutave të tjera që dyshohet se janë të falsifikuara.
E pyeta edhe se si do të zbatohet pasi që pritet të ndikojë veçanërisht në jetesën e qytetarëve në zonat me shumicë serbe. Shpreha shqetësimin për faktin se ka shumë pak kohë për përshtatje para hyrjes në fuqi të rregullores”, ka shkruar Szunyog.