Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Partinë Demokaratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka reaguar pas deklaratës së zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili e krahasoi PDK-në me Listën Serbe për çështjen e Vettingut.
Përmes një postimi, Gruda e ka quajtur si “të turpshme” krahasimin e zv. ministrit të Drejtësisë.
“Zv. ministri i Qeverisë, që koordinohet me Radojqiqin për të votuar kundër veteranëve të UÇK-së në Kuvend, nuk mund të njollosë kurrë PDK-në”, ka thënë Gruda.
Sipas tij, PDK-ja e ka ndihmuar procesin e Vetingut që nga fillimi dhe se po zhvillohet sipas propozimit të dhënë nga kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi.
“Pra, PDK e ka përkrahur vetingun nga fillimi, mirëpo PDK nuk mund ta kompensojë mungesën e kompetencës dhe paaftësinë e kësaj qeverie. Dhe, fatkeqësisht, nuk kemi mundur as t’i ndalim në koordinimet e tyre me Radojqiqin”, ka thënë tutje Gruda.