Ministri për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvorak, ka thënë se integrimi i Kosovës drejt BE-së është i lidhur me dialogun me Serbinë.
“Do të doja të them se integrimi i Kosovës në BE është fuqishëm i lidhur me dialogun me Serbinë”, ka deklaruar ministri Dvorak.
Sipas tij, raportet ndërfqinjësore në mes të dy vendeve që synojnë anëtarësimin në BE janë çështje kruciale, jo vetëm për Kosovën e Serbinë, por për secilin shtet tjetër.
“Çështja e fqinjësisë së mirë dhe integrimit është çështje që aplikohet për të gjitha shtetet e Ballkanit”, ka vijuar Dvorak.
Teksa në këtë konferencë të përbashkët për medie, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë të kundërtën.
Sipas Bislimit, është shumë me rëndësi që të ndahet procesi i dialogut Kosovë – Serbi nga procesi i integrimit të Kosovës në BE.
Dvorak tutje tha se Çekia në periudhë afatgjate ka qenë mbështetëse e përpjekjeve euroatlantike të Kosovës, teksa përmendi edhe liberalizimin e vizave.
“Po ashtu, jam i kënaqur që qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë aq lehtësisht, sikurse unë kam udhëtuar drejt Kosovës dhe më vjen mirë që konfirmoj se mbështetja e vazhdueshme e Çekisë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe anëtarësimin në KiE”, ka vijuar ai.