Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka bërë të ditur se në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është miratuar vendimi preliminar për interes publik për shpronësimin e pronës së paluajtshme ish-shoqërore “Ballkan” Njësia Damper (Ish-Kampi “Casablanka”), për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Aliu ka shkruar se “Damperi është aseti kryesor i Fabrikës së Ballkanit dhe punëtorët e Ballkanit me vite të tëra presin kthimin e borxhit ndaj tyre nga institucionet shtetërore, me anë të këtij vendimi do të mundësohet edhe kompensimi i të drejtave të tyre”.
Postimi i plotë:
Në mbledhjen e sotshme të Qeverisë, miratuam vendimin preliminar për interes publik për shpronësimin e pronës së paluajtshme ish-shoqërore “Ballkan” Njësia Damper, për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Duke qenë se Damperi është aseti kryesor i Fabrikës së Ballkanit dhe punëtorët e Ballkanit me vite të tëra presin kthimin e borxhit ndaj tyre nga institucionet shtetërore, me anë të këtij vendimi do të mundësohet edhe kompensimi i të drejtave të tyre.
Pas miratimit të Vendimit Nr.02/175 të datës 29.11.2023, Departamenti i Shpronësimit me datë 18.12.2023, ka mbajtur Dëgjimin Publik në Komunën e Suharekës me pronarët e pronave konform Ligjit për Shpronësim dhe ka trajtuar të gjitha kërkesat dhe ankesat e pronarëve dhe pas plotësimit të kushteve të parapara kemi marrë Vendimin për miratimin e Vendimit Preliminar për shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme të Njësisë Damper.