Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të mërkurën në takim ministrin për Çështje Evropiane të Republikës së Çekisë, Martin Dvorak.
Në fillim të takimit, siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, Kurti i ka uruar mirëseardhje përsëri në Kosovë ministrit Dvorak pas më shumë se dy dekadave.
Ai e ka njoftuar ministrin çek Dvorak për zhvillimet e fundit, progresin demokratik të evidentuar edhe sipas raporteve ndërkombëtare, rritjen e shënuar në indikatorët ekonomikë, arritjet e politikat kryesore të qeverisë dhe fushat me prioritet, sipas tij, të këtij viti.
Kurti ka thënë se ministri Dvorak është mik i vjetër i Kosovës që ka ndihmuar në rindërtimin e Istogut dhe Gjakovës pas luftës.
“Me kënaqësi të mirëpres ministrin çek për Çështjet Evropiane, Martin Dovrak, mik i vjetër i Kosovës që ndihmoi në rindërtimin e pasluftës të qyteteve të Istogut dhe Gjakovës. Kosova ka përparuar shumë që atëherë dhe ne jemi përgjithmonë mirënjohës për kontributet e miqve”, ka shkruar Kurti në platformën X.
Kurti mes tjerash e ka falënderuar ministrin Dvorak për punën dhe angazhimin e tij të madh në një periudhë të vështirë për vendin tonë.
Gjithashtu, kryeministri Kurti ka shprehur mirënjohjen e tij për Republikën e Çekisë për të gjithë mbështetjen që i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës, përfshirë këtu kontributin e Çekisë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë përmes misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit (EULEX), përkrahjen përmes votës në proceset e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe tash së fundmi rolin e saj në procesin e suksesshëm të liberalizimit të vizave.
Ministri për Çështje Evropiane të Republikës së Çekisë, Martin Dvorak, u shpreh i lumtur për vizitën dhe mikpritjen, sa edhe për ndryshimet dhe zhvillimin në vend nga koha kur shërbente në Kosovë.
Ai ka deklaruar se Çekia është mbështetëse dhe mike e afërt e Kosovës dhe e integrimit të saj euroatlantik.
Së bashku diskutuan për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shtete, me theks tek mundësitë e avancimit të tyre.
Martin Dvorak kishte shërbyer si administrator i komunës së Istogut dhe Gjakovës ndërmjet vitit 1999-2002.
Kryeministri në këtë takim ishte i shoqëruar nga ambasadorja e Kosovës në Çeki, Albesjana Iberhysaj, kryetarja e Grupit të Miqësisë me Republikën e Çekisë, Arjeta Rexhepi dhe zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku.
Pas takimit me kryeministrin Kurti, ministri çek Dvorak po ashtu u mirëprit dhe nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, me të cilin zhvilluan një konferencë të përbashkët për media.