I dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, ka thënë se e ardhmja e Kosovës është një republikë multietnike.
Në një intervistë për Agjencinë kroate të lajmeve “Hina”, Peach e quajti “incident të rëndë” sulmin në Banjskë më 24 shtator, në të cilin mbeti i vdekur rreshteri policor, Afrim Bunjaku, dhe theksoi se institucionet e Kosovës po bashkëpunojnë plotësisht në hetim, gjë që u shpreh se e theksoi edhe në Beograd.
“Nga normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës do të përfitojnë të gjithë qytetarët e të dy vendeve, si dhe rajoni më i gjerë, përfshirë Kroacinë, dhe e ardhmja e Kosovës është që ajo të bëhet një ‘republikë multietnike’ “, ka thënë Peach.
Ai shtoi se sasia e armëve të gjetura mund të jetë destabilizuese për Kosovën dhe për këtë arsye, vlerësoi veprimet profesionale dhe të koordinuara të Policisë së Kosovës.
Sipas Peach-it, për shkak të rrethanave të ndryshuara gjeopolitike dhe konflikteve të reja, është “më e rëndësishme se më parë”, të mos shtohen rreziqe të reja në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Pos kësaj, ai thotë të mos lejohen të kenë sukses ata që duan të destabilizojnë rajonin, duke aluduar në Rusinë.
Peach e shpalli agresionin rus kundër Ukrainës, sulm ndaj vlerave evropiane, “prandaj është thelbësore që Evropa të qëndrojë e bashkuar në mbrojtjen e tyre”.
Ai i bëri thirrje Serbisë të vendosë sanksione ndaj Rusisë, si vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që s’ka bërë diçka të tillë.
I dërguari i Britanisë e bëri të qartë se Republika Srpska nuk mund të jetë shtet i pavarur, duke dënuar kërcënimet e presidentit të etnitetit serb të Bosnjës, Milorad Dodik.
“Londra vazhdon ta mbështesë Marrëveshjen e Dejtonit”, ka shtuar ai.
Peach qëndroi për vizitë në Kroaci.
Ishte hera e pestë për të që viziton shtetin kroat që kur u emërua si i dërguar i Britanisë për rajonin në fund të vitit 2021.