Një 28-vjeçar ka humbur jetën pas mesnatës të së mërkurës në një vetaksident në aksin rrugor Gjilan – Dheu i Bardhë.
Këtë për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
Ndërkaq pasagjeri është transferuar me autoambulancë në qendrën emergjente në spitalin rajonal të Gjilanit për trajtim mjekësor.
“Me datën 25.01.2024 rreth orës 00:50 Policia e Kosovës stacioni policor në Gjilan ka pranuar informacion se ka ndodhur një vetaksident trafiku në fshatin Miresh i vogël aksin rrugor Gjilan-Dheu i bardhë. Hetues policorë nga njësiti i trafikut rajonal së bashku me ekipin e emergjencës kanë dalë në vendin e ngjarjes. Si pasojë e këtij vetaksidenti drejtuesi i automjetit me traga vendore i vitit të lindjes 1996 (mashkull kosovar shqiptar) nga lëndimet e marra ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar mjeku kujdestar, ndërsa pasagjeri i këtij automjeti është transferuar me autoambulancë në qendrën emergjente në spitalin rajonal të Gjilanit për trajtim mjekësor”, ka thënë Hashani.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.
Rrethanat e rastit janë duke u hetuar nga hetues policorë të aksidenteve të Trafikut rajonal në Gjilan.