Pas ngjarjes së ditës së shtunë në qytetin e Ferizajt, ku Q.J vrau shokun e tij G.H, avokati Kastriot Zenuni ka thënë se i dyshuari pasi që ka shtënë me armë, i ndjeri ka ndërruar jetë aty për aty.
“Këtë e ka konstatuar edhe Qendra e Mjekësisë Familjare në Ferizaj”, ka thënë Zenuni.
Sipas tij, dyshimet e para kanë qenë tek vetura e cila është djegur nga i ndjeri.
“Sa i përket dyshimeve të para kanë qenë tek vetura edhe nga prokuroria, ku i ndjeri ia ka djegur veturën vëllaut të dyshuarit, pra vëllaut të reperit Buta, ku vetura ka një vlerë afro 70 mijë euro, që mes tyre ka pasur thëmbime për këtë” u shpreh Zenuni, në emisionin “Debat Plus” me Ermal Pandurin, në RTV Dukagjini.
Sipas Zenunit, informacionet jozyrtare kanë bërë të ditur se i dyshuari është plagosur nga një zyrtar.
Gjatë ditës së shtunë, Zenuni është ftuar nga Oda e Avokatëve.
“Ditën e shtunë jam ftuar nga Oda e Avokatëve dhe jam caktuar sipas detyrës zyrtare”, ka thënë ai.
Së bashku me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe gjyqtarin e procedurës paraprake, Zenuni ka qenë në koordinim, ku pas konsultimeve ata janë nisur drejt Prishtinës në QKUK, aty ku ndodhej edhe i dyshuari.
Gjendja e të dyshuarit është konstatuar nga doktorët dhe pastaj është mbajtur seanca dëgjimore në QKUK.
“Kemi biseduar me mjekun kompetent dhe ai e ka konstatuar gjendjen e tij dhe pas kësaj është mbajtur seanca dëgjimore në objektin e QKUK-së, ku dhe Prokuroria Themelore në Ferizaj ka paraqitur kërkesë për masën e paraburgimit dhe atij i është caktuar masa e paraburgimit” ka thënë Zenuni.
Teksa Zenuni kishte takuar të dyshuarin, sipas tij, gjendja shëndetësore ka qenë jashtë rrezikut për jetë.
“Sa i përket gjendjes shëndetësore së tij kur është mbajtur seanca dëgjimore në QKUK jam takuar me të dyshuarin, i cili nuk ka qenë në rrezik për jetë, plagën më të madhe e ka tek nofulla por në koordinim me doktorin, prokurorin nuk e kemi pyetur shumë, sepse nuk ishte në gjendje të flasë, por sipas mjekut ai mund te përgjigjet me po ose jo” shtoi Zenuni.
”Sipas familjarëve të të dyshuarit, i ndjeri i ka dërguar foto të arkivolit në rrjete sociale reperit Buta”, ka shtuar Zenuni.