Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka dorëzuar në Kuvend dorëheqjen e tij.
Më vonë pritet edhe dorëheqja e kryeparlamentarit Talat Xhaferi, i cili të dielën pritet të marrë funksionin e kryeministrit teknik.
“Talat Xhaferi ka përvojë në drejtimin e parlamentit, unë kam ardhur me një përvojë tjetër, në drejtimin e korporatave dhe ne kemi një stil tjetër si politikanë, por shteti me siguri do të mbajë të njëjtin drejtim, orientim properëndimor dhe synime strategjike, qeveria teknike do të kujdeset mirë për qytetarët. Kjo është diçka që e parashikon ligji dhe më 9 maj qeveria e re do të udhëhiqet nga unë dhe koalicioni që do ta çojë Maqedoninë në BE deri në vitin 2030″, ka deklaruar Kovaçevski, raporton Alsat-m.
Seanca për votimin e qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut do të mbahet këtë diel.
Para votimit të Qeverisë së re, Kuvendi duhet të zgjedhë kryeparlamentarin e ri, Jovan Mitreski, aktualisht kryetar i grupit parlamentar i Lidhjes Social-Demokrate (LSDM).
Qeveria teknike, bazuar në Ligjin për Zgjedhjet, formohet 100 ditë para çdo cikli zgjedhor, dhe ka për detyrë organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare.
Pjesë e kësaj Qeverie, përveç partive që aktualisht përbëjnë ezekutivin, LSDM-ja, BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët, duhet të jetë edhe opozita, konkretisht VMRO DPMNE-ja, së cilës i takojnë Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria për Punë dhe Politikë Sociale, si dhe tre zëvendësministra me kompetenca të veçanta, që do të thotë se ministrat nuk do të mund të marrin asnjë vendim pa nënshkrimin edhe të zëvendësministrave.
Por, kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski, ka thënë se deputetët e saj nuk do të votojnë për Qeverinë teknike, pasi janë kundër që ajo të udhëhiqet nga Talat Xhaferi, kuadër i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), pasi e akuzojnë për shkelje të shumta ligjore gjatë punës si kryetar i Kuvendit.
BDI-ja, nga ana tjetër, ka paralajmëruar se “në rast se VMRO-ja nuk voton kandidatët e saj për ministra, atëherë BDI-ja nuk do të votonte kandidatët e VMRO-së”.
Gjatë njoftimit për dorëheqjen e Qeverisë, kryeministri Dimitar Kovaçevski ka thënë se “zgjedhjet e ardhshme do të jenë zgjedhje në mes të Perëndimit dhe Lindjes”.
“Bëhet fjalë për zgjedhje, ku ju keni partitë politike të qendrës dhe të qendrës së majtë apo partitë politike të qendrës dhe qendrës së djathtë. Por, në vendin tonë tani do të ketë zgjedhje në të cilat do të përballen partitë politike që favorizojnë orientimin perëndimor të shtetit, dhe partive politike që janë për një orientim të qartë lindor të vendit”, ka thënë Kovaçevski.
Por, VMRO DPMNE-ja ka thënë se pohimet e këtilla të zyrtarëve në pushtet bëhen “me qëllim që krimin dhe korrupsionin ta fshehin përmes integrimeve evropiane”.
Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut, më 8 maj, mbahen së bashku me rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Rundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill.