Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe guvernatori i Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB), Carlo Monticelli, kanë nënshkruar sot marrëveshje në vlerë prej 25 milionë eurosh për krijimin e një sistemi të banimit social.
Projekti në fjalë ka fokus të veçantë familjet e cenueshme të shoqërisë, të cilat kanë të ardhura të ulëta pa zgjidhje banimi.
“Përmes marrëveshjes parashihet shndërrimi i ndërtesave ekzistuese në banesa të reja sociale dhe të përballueshme, renovimi i shtëpive të cilat janë në pronësi të familjeve me të ardhura të ulëta, si dhe ndërtimi i banesave të reja kolektive sociale. Në ceremoninë e nënshkrimit, ministri Murati shprehu se “projekti për banimin social do të garantojë akomodimin e dinjitetshëm dhe të përballueshëm për familjet e cënueshme””, thuhet në njoftim.
Ndërsa, guvernatori Monticelli ka deklaruar se “kjo iniciativë do të ndihmojë në realizimin e objektivit të përgjithshëm të vendit për krijimin e banimit social gjithëpërfshirës për qytetarët e Kosovës”.
Të dyja palët janë pajtuar që të thellojnë bashkëpunimin në mënyrë që qytetarët e Kosovës të kenë akomodim të përballueshëm, efiçient dhe të sigurt.