Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti u është drejtuar sot qytetarëve përmes një video-mesazhi në faqen e tij zyrtare në Facebook.
Me theks të veçantë për arritjen e fundit kombëtare “Kryeministrin shqiptar”, Ahmeti përmendi në kronologji të gjitha sukseset e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut që u fituan me sakrificë dhe përkushtim.
Ndër të tjera, Ahmeti shtoi se 28 janari i këtij viti është datë historike pasi që vendi do të udhëhiqet nga një kryeministër shqiptar, duke dëshmuar se Maqedonia e Veriut është shtet i barabartë dhe i bashkuar.
Ai ka thënë se beson që Maqedonia e Veriut së shpejti do të anëtarësohet në BE.
“Katër vite më parë, nga ky vend, ju drejtova juve me fjalët: Çdo gjë e ka një fillim. Çdo gjë fillon me një ëndërr. Ju thash që të gjithë ne i kemi ëndrrat tona, për fëmijët tanë, për vetën tonë, për vendin. Besoj ju kujtohet kur theksova që, ne, shqiptarët, kemi ëndërruar për liri, për barazi. Liria dhe barazia nuk vijnë lehtë, kërkojnë shumë sakrificë dhe përkushtim, por edhe besim, besim që qëllimi do të arrihet. Më pyetën, a vërtetë besoni që do të bëhet, thash jo vetëm që besoj, por edhe do të bëhet. Ashtu besoja edhe në Marrëveshjen e Ohrit. Edhe në zyrtarizimin e gjuhës shqipe dhe të flamurit kombëtar. Besoja që do të bëhemi pjesë e NATO-s dhe që do të hapim negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Besoj edhe që shpejtë do të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian, sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ideali im dhe për këtë punoj çdo ditë”, ka thënë Ahmeti.
Tutje, Ahmeti ka thënë se e diela e 28 janarit është historike, pasi do të vendoset jeta e gjeneratave që do të pasojnë.
“Kjo ditë është historike sa për shqiptarët, aq edhe për maqedonasit, si dhe për të gjithë të tjerët, sepse po bëhemi shtet dhe shoqëri e barabartë dhe po tejkalojmë të gjitha paragjykimet. Bashkarisht po ndërmarrim përgjegjësinë për ti prirë vendit, jo njëri pas tjetrit, por krah më krah, bashkë, për një Maqedoni Europiane. Jam mirënjohës që na besuat, u rreshtuat pas ëndrrës tonë dhe që ky besim i juaji, kjo mbështetje e juaja po shpërblehet nesër, edhe me një premtim të mbajtur, edhe me një punë të kryer, edhe me një ëndërr të realizuar. Uroj të gjithë qytetarët tanë për këtë të arritur dhe jam i sigurt që vendi ynë po bëhet edhe më i fortë, edhe më i barabartë edhe më i bashkuar. Por, këtu nuk është fundi, ky është vetëm fillimi, kemi edhe shumë punë për të bërë dhe ëndrra për të realizuar. Sot kemi nevojë të bashkohemi, t’ia shtrijmë dorën njëri tjetrit, të lëmë anash gjërat që na ndajnë dhe të bashkohemi rreth gjërave që na afrojnë. Edhe para katër viteve, por edhe gjithmonë, kam thënë që ne kemi ditur se si të bashkohemi për qëllimet e përbashkëta, kur ka qënë e rëndësishme dhe vendimtare. Cfarë do të bëjmë ne nesër, do të definojë jetën e gjeneratave pas nesh. A duam t’ju lëmë mbesave dhe nipërve tanë një Maqedoni Europiane a po një Maqedoni proruse, një vend demokratik, apo diktatorial, paqë a po konflikt, përparim a po vend numëro”, ka vijuar ai.
Sipas tij, këto procese janë më të mëdha se secili, prandaj duhet që të ndërtohen ura dhe ta shtrohet rruga për realizimin e ëndrrave.
“Përsëri, ta mbjellim të ardhmën sot, që gjeneratat e ardhshme ta korrin suksesin. Kur jemi bashkë, jemi shumë të fuqishëm. Kryeministrin e parë shqiptar e bëmë bashkë, ta bëjmë edhe Maqedoninë Evropiane bashkë, duke besuar se ëndrrat realizohen po që se besoni dhe punoni. Kur guxuam, ia dolëm, kur ëndërruam, realizuam, kur besuam, punuam, kur u tha, u bë”, ka theksuar Ahmeti.