Një person është plagosur në të dyja këmbët, nga të shtënat me armë zjarri në Vushtrri.
Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës është bërë e ditur se, ngjarja ka ndodhur të hënën rreth orës 21:35, në rrugën “Hamdi Krasniqi”, në Vushtrri.
Siç thuhet në raport, njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur dhe konfiskuar katër gëzhoja, e më pas nga i dyshuari kanë sekuestruar një revole e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, i njëjti, ka shtënë me armë në drejtim të viktimës mashkull kosovar, duke e plagosur në të dy këmbët. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur dhe konfiskuar katër gëzhoja, e më pas nga i dyshuari kanë sekuestruar një revole e cila dyshohet se është përdorur në rast”, thuhet në raport.
Ndërkaq, sipas raportit, viktimës, fillimisht, i është ofruar trajtim mjekësor në emergjencën e Vushtrrisë, e më pas është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Prishtinë.
“Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.
Tutje në raport, thuhet se një predhë ka qëlluar në dritaren e një shtëpie, por përveç dëmtimit të dritares, pasoja në njerëz nuk ka pasur.