Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut gjithçka është gati për seancën ku Talat Xhaferi nga BDI për 100 ditë do të pranojë postin e kryeministrit, për t’u bërë shqiptari i parë që e pranon këtë pozitë shtetërore.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të dielën, pritet të votojë Qeverinë teknike e cila do të drejtohet nga ish-kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Xhaferi në postin e kryeministrit pason Dimitar Kovaçevskin, i cili dha dorëheqje bazuar në Ligjin për zgjedhje, i cili parasheh që në 100 ditë para zgjedhjeve të zgjidhet një Qeveri teknike, e cila ka mandat për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 8 maj, së bashku me zgjedhjet presidenciale.
Pjesë e Qeverisë teknike do të jetë edhe partia maqedonase opozitare, VMRO DPMNE, e cila do të udhëheqë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Punës dhe Politikës Sociale. Në ekzekutivin teknik, kjo parti do të ketë edhe tri zëvendëskryeministra, me kompetenca të veçanta.
Ndryshime në postet e tjera ministrore nuk do të ketë. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojnë të udhëheqin ministritë që aktualisht kanë nën drejtim.