Urimet për kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferin, tashmë veçse kanë filluar.
Pak minuta pas zgjedhjes së kryeministrit Xhaferi, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e uroi atë duke thënë se kjo ditë shënon një moment historik për të gjithë komunitetin shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
“Urime, Kryeministër Talat Xhaferi! Sot shënohet një moment historik i rëndësishëm për të gjithë komunitetin shqiptar në Maqedoninë e Veriut, duke reflektuar kontributin e tyre jetik në shtetësinë e vendit dhe rrugëtimin drejt integrimit euroatlantik. I uroj qeverisë dhe të gjitha institucioneve të M.V. suksese”, shkroi ajo.
Pos Osmanit, nga Kosova, Xhaferi mori urimet edhe liderët opozitarë.
I pari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka uruar kryeministrin e sapo emëruar të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferin.
Krasniqi ka thënë se përpjekjet e shqiptarëve për barazi, drejtësi e faktorizim po kulmojnë me kryeministrin e parë shqiptar në histori të shtetit.
Gjithashtu, Krasniqi ka përgëzuar dhe kryetarin e BDI-së, Ali Ahmetin, për punën e tij në ngritjen e shqiptarëve.
Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka uruar, Talat Xhaferin për postin e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, duke thënë se përbën lajmin më të mirë për të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoni.
Haradinaj ka thënë se ky është një fillimvit i mbarë për shqiptarët atje, për shtet dhe për mbarë rajonin.
“Një fillimvit i mbarë për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, për vet shtetin dhe mbarë rajonin! Zgjedhja e Talat Xhaferit, si kryeministër i parë shqiptar në Maqedoninë Veriore përbën lajmin më të mirë për të ardhmen e shqiptarëve atje dhe për shtetin tonë fqinj. Mikut tim Talat Xhaferi, sikurse kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, i uroj përzemërsisht për këtë të arritur historike, duke qenë të bindur se e ardhmja jonë e përbashkët është në Bashkimin Evropian, në NATO dhe mekanizma tjerë të rëndësishëm ndërkombëtar”, ka shkruar Haradinaj.