I dërguari special për dialogun në mes të Kosovës e Serbisë, Mirolsav Lajçak, do ta vizitojë Prishtinën të martën më 30 janar.
Kjo sipas transmetuesit publik të Kosovës, konfirmohet nga burimet mirë të informuara në Bruksel.
Lajçaku pritet të takohet me përfaqësuesit e institucioneve vendore, ndonëse akoma nuk ka konfirmim nëse do të mbahet një takim në mes të tij dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Ndërkohë, bëhet e ditur se tashmë është konfirmuar mbajtja e takimit me zëvendëskryeministrin, njëkohësisht, kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi.
Një ditë më herët, përkatësisht të hënën më 29 janar, Lajçaku do të ndalet fillimisht në kryeqytetin serb, Beograd. Tashmë ka konfirmim zyrtar se ai atje do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Ndryshe, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka njoftuar të premten e kaluar se më 30 janar do të ketë një vizitë në vend nga një përfaqësues i Brukselit zyrtar.
“Masat e BE-së janë të kufizuara vetëm në takimin e nivelit të lartë me përfaqësuesin e institucioneve të Kosovës, por ju jeni dëshmitarë që këto takime kanë vazhduar po vazhdojnë edhe më tej. Të martën do të kemi prapë vizitë nga dikush prej Brukselit që vjen në Prishtinë”, ka deklaruar mes të tjerash Bislimi.
Është kjo vizita e parë e të dërguarit të veçantë për dialog në këtë vit. Kjo vizitë, gjithashtu, po zhvillohet në periudhën kur procesi i dialogut është duke vegjetuar.
Pas 14 shtatorit nuk ka pasur më takime në nivelin më të lartë politik në kuadër të dialogut. Ishte ky takim i cili njëkohësisht shfaqi tensionet në mes të kryeministrit të Kosovës dhe vetë Lajçakut, të cilin ky i pari e akuzoi se e ka humbur neutralitetin.
Vizitat që do t’i bëjë Mirosllav Lajçak, si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd, do të jenë rast që sërish të kërkohet nga palët që të zbatojnë të gjitha pikat e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, përfshirë edhe aneksin e saj.