Në Kosovë, brenda 24-orëve të fundit, policia ka raportuar për pesë raste të dhunës në familje.
Sipas njoftimit të policisë, nga pesë rastet, janë arrestuar katër burra të dyshuar dhe një tjetër gjendet në arrati.
Në një nga rastet në Deçan, një burrë është arrestuar, pasi kishte sulmuar fizikisht një grua, duke i shkaktuar lëndime.
Viktimës i është ofruar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje pas intervistimit me vendim të prokurorit.
“Deçan 28.01.2024 – 16:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare, të cilës i ka shkaktuar lëndime. Lidhur me rastin viktimës i është ofruar tretmani mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.
Në Prishtinë, një i dyshuar është arrestuar, pasi pas një mosmarrëveshjeje me viktimën grua ka kryer sulme fizike. Edhe në këtë rast, viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
“Prishtinë 28.01.2024 – 10:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti pas një mosmarrëveshje që kishte pasur me viktimën femër kosovare, e kishte sulmuar fizikisht atë. Viktimës i është ofruar tretmani mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.
Një rast tjetër ka ndodhur në Obiliq, ku një i dyshuar është arrestuar nën akuzën e dhunës në familje ndaj një burri. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor dhe i dyshuari është dërguar në mbajtje pas intervistimit me prokurorin.
“Obiliq 28.01.2024 – 23:05. Është arrestuar i dyshuari kosovar nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën e lartcekur, lidhur me rastin viktima mashkull kosovar për shkak të lëndimeve ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, në Gjakovë janë raportuar dy raste të ndryshme.
Një burrë është arrestuar, pasi kishte sulmuar fizikisht një grua.
“Gjakovë 27.01.2024 – 15:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. I dyshuari pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, një rast tjetër ka të bëjë me abuzimin psikologjik të një gruaje nga një burrë, i cili ndodhet në arrati dhe rasti është nën hetime.
“Gjakovë 28.01.2024 – 20:00. Viktima femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje verbale, është keqtrajtuar psiqikisht nga i dyshuari mashkull kosovar, i cili gjendet në arrati. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.