Bajram Rexhepi, zyrtar i lartë nga Bashkimi Demokratik për Integrim, ka thënë se zgjedhja e Talat Xhaferit si kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut tregon barazi të plotë entike të shqiptarëve dhe prishje të të gjitha tabuve politike.
Në një linjë direkte në emisionin “Five”, në RTV Dukagjini, Rexhepi theksoi se me këtë fitore është përmbyllur një cikël i rëndësishëm i barazive të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Kështu tha ai teksa është pyetur se cila është rëndësia e datës 28 janar, e cila ndërlidhet me zgjedhjen e Xhaferit si kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
“Kjo për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut do të thotë rrumbullakësim i barazisë të plotë entike të shqiptarëve në këtë vend dhe prishje të të gjitha tabuve politike… me këtë po përmbyllim një cikël të rëndësishëm të barazive të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut”, u shpreh ai.
Lidhur me kritikat e opozitës ndaj liderit të BDI-së, Ali Ahmetin, po ashtu edhe për tashmë kryeministrin e ri, Talat Xhaferin, Rexhepi thotë se reagimet kanë qenë të ndara në tre grupe.
“Nuk do të thoja që ka qenë vetëm kritike, por nëse shihni këto ditë reagimet kanë qenë të grupuara në tre grupe. Pjesa dërrmuese absolute e shqiptarëve është pranuar me një ekzaltim madhështor, ka qenë një pjesë shumë e vogël e shqiptarëve pjesa e një liste që janë munduar që ta relativizojnë këtë arritje madhështore dhe pjesa tjetër ka qenë pjesa nacionaliste… ka qenë një shpërthim racist me shumë akuza, urrejtje, e kanë pritur këtë lajm”, tha ai.
Ndërkohë, Rexhepi thotë se janë krenarë edhe me punën që Talat Xhaferi ka bërë sa ishte në pozitën e kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, ashtu edhe për punën e ministrit të MPJ-së, Bujar Osmani.
Ai thotë se është dëshmuar që kuadrot më të mira janë ato të shqiptarëve.
“Jemi absolutisht krenarë me punën që bëri Bujar Osmani sepse dëshmoi se ka qenë ministri më i suksesshëm i MPJ-së, ashtu si Talat Xhaferi si kryetar më i mirë i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut… kemi dëshmuar që kuadrot tonë kanë qenë kuadrot më të mirë dhe kanë udhëhequr në mënyrë dinjitoze për këto institucione”.
Kryeministri teknik i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, të hënën më 29 janar ka marrë zyrtarisht detyrën nga paraardhësi i tij, Dimitar Kovaçevski.
Qeveria teknike do të funksionojë për 100 ditë dhe do të ketë mandat për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare më 8 maj.
Pas marrjes së detyrës së re, Xhaferi tha se do të bëjë gjithçka “për të punuar në të mirë të vendit dhe të qytetarëve”.
Ai tha se kabineti teknik do të vazhdojë punën për realizimin e programit të Qeverisë së deritanishme të Kovaçevskit.