Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takimin lamtumirës, ambasadorin britanik, Nicholas Abbott.
Gjatë takimit, Abdixhiku thotë se ia ka dhuruar një helmetë ilire në shenjë kujtimi për bashkëpunimin e ngushtë që pati në Kosovë.
Mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar është shtyllë e sigurisë kombëtare, thotë Abdixhiku.
“I dhurova një helmetë ilire, që ta mbajë si rikujtim Kosove e rikujtim të bashkëpunimit të ngushtë që kishim me Lidhjen Demokratike. Me ambasadorin britanik dhe familjen e tij, përveç relacioneve zyrtare kam pasur nderin të zhvillojë dhe miqësi të veçantë. Ishte gjithnjë i matur dhe i ndjeshëm; ishte gjithnjë i përkushtuar për çdo angazhim tonin”, shkroi Abdixhiku në Facebook.
Ai e ka falënderuar ambasadorin për punën e tij katërvjeçare në Kosovë.
“Si një diplomat me përvojë e si një mik i madh i vendit, ai mirëmbajti relacionet mes shteteve tona me plot kujdes e vullnet të mirë. Shfrytëzova rastin dhe ta falënderoj në veçanti për deklaratën e sekretarit Cameron gjatë vizitës së tij në Kosovë, si garancë për Republikën tonë, të lirë e sovrane. Për këtë, populli i Kosovës do të jetë mirënjohës gjithnjë!”, shkroi Abdixhiku.