I dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, këtë të martë do të jetë në Kosovë, pas vizitës që kishte në Serbi.
Lajçak në Prishtinë pritet të takohet me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë.
Kështu, Lajçaku po bën tentativat e fundit që të përmbushë misionin e tij, normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Lajçaku të hënën ka takuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Në diskutimin tonë, u fokusuam në perspektivën strategjike për vitin 2024, bëmë një bilanc mbi gjendjen në dialog dhe folëm për hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, ka thënë Lajçaku.
Përveç këtij shkrimi në llogarinë e tij në platformën X, Lajçaku nuk ka folur për gazetarët pas takimit.
I dërguari i BE-së për dialogun paralajmëroi po ashtu një takim midis dy kryenegociatorëve, Besnik Bislimi nga Kosova dhe Petar Petkoviq nga Serbia, i cili, sipas tij, mund të ndodhë së shpejti në Bruksel, për të vazhduar me negociatat.
- Vuçiqi takon Lajçakun në Beograd, kërkon anulimin e vendimit të BQK-së për dinarin
- Lajçak diskuton me Petkoviçin për dialogun
Vuçiqi në takim me Lajçakun ka njoftuar se ka kërkuar anulimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e përdorimit të dinarit serb për pagesa me para të gatshme në Kosovë.
Vuçiqi ka thënë se e ka pasur një “takim konstruktiv dhe shumë të dobishëm” me Lajçakun.
“E theksova domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës urgjentisht, dhe kërkova mbështetje nga Bashkimi Evropian për ndalimin e provokimeve të mëtejshme që vijnë nga Prishtina”, ka shkruar Vuçiqi në profilin e tij në Instagram, pas takimit me Lajçakun.