Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka kërkuar nga Kosova, strategji për energjinë e ripërtëritshme.
Ajo ka deklaruar se mbrojtja mjedisore duhet të vendoset në prioritetet e vendit, duke shtuar se thëngjilli si burim i energjisë, përveç që vret qytetarët, vret edhe ekonomitë e një vendi.
“Ka ardhur koha për një strategji që do t’i hapë derën energjisë së ripërtëritshme”, ka thënë ajo në Konferencën “Java për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë”.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se deri në fund të vitit 2022 pritet të finalizohet strategjia për energji, e cila, sipas tij, parasheh dekarbonizimin e energjisë dhe krijimin e mundësisë për energji të ripërtëritshme.
“Kosova është e interesuar që të jetë shembull në zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Në nivel nacional, Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, është e reflektuar në kuadër të agjendës së reformave evropiane, por edhe planit kombëtar të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”, ka thënë Bislimi.
Sipas tij, kjo agjendë po përkthehet në kuadër të strategjive të ndryshmne sektoriale ku po integrohen masat konkrete, për të kontribuuar në një zhvillim të qëndrueshëm.
“Si ekzekutiv kemi avancuar kornizën ligjore duke miratuar projektligjin për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, projektligjin për mbeturinat, për bujqësi dhe zhvillim rural, për pyjet, e të tjera”, ka shtuar ai.
Bislimi ka potencuar se institucionet po punojnë në hartimin e një programi dhe plani për mbrojtjen e konsumtorëve në nevojë, në mënyrë që të adresohen edhe sfidat sociale të vendit.