Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajčák.
Në këtë takim Osmani ka kërkuar nga Lajçak heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian (BE) ndaj Kosovës.
“Presidentja Osmani ritheksoi nevojën e heqjes së masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog. Në këtë drejtim, ajo përsëriti se Kosova ka ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, duke miratuar edhe udhëzimin administrativ, ndërkaq theksoi pritjet e saj që kjo e drejtë e qytetarëve të realizohet pa vonesa e në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Osmani po ashtu theksoi se Gjykata Kushtetuese është institucioni i vetëm që mund ta interpretojë draft statutin e Asociacionit.
Sipas njoftimit, e para e vendit i ka ritheksuar shqetësimet që i ka për këtë draftstatut.
“Sa i përket draftit të statutit të Asociacionit, presidentja ritheksoi se institucioni i vetëm që mund ta interpretojë përfundimisht përputhshmërinë e këtij akti me Kushtetutën është Gjykata Kushtetuese e Kosovës, gjersa po ashtu i shprehu shqetësimet e saj lidhur me disa dispozita të këtij drafti, të cilat mund të jenë sfiduese gjatë zbatimit në praktikë”, thuhet në njoftim.
Presidentja theksoi se marrëveshja e Brukselit e 27 shkurtit 2023 dhe aneksi i Ohrit i 18 marsit 2023 duhet të zbatohen në plotni.
Në këtë takim u përshëndetën të arriturat e fundit sa i përket zbatimit të marrëveshjes për energji si dhe asaj për targa, si hapa drejt normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë.