Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim (KADC) ka prezantuar të martën të gjeturat e hulumtimit “Strategjitë dhe Taktikat e Ndikimit të Industrisë së Duhanit në Politikat e Shëndetit Publik në Kosovë” në tryezën e organizuar me titull “Interferenca e industrisë së duhanit në politikat e kontrollit të duhanit”.
Pjesëmarrës në prezantimin e raportit ishin përfaqësuesit nga Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit, Rural, Organizata Botërore e Shëndetësisë, Instituti Kombëtari Shëndetësisë Publike, shoqëria civile dhe mediet.
Ky raport ka shpërfaqur ndërhyrjet e Industrisë së Duhanit në Udhëzimin Administrativ nr.05/2023 për Vërejtjet e Kombinuara, duke treguar në detaje rastet ku është tentuar që të ketë vonesa në implementimin e UD-së.
Drejtori Ekzekutiv i KADC-së, Shkumbin Spahiu, pohoi se industria e duhanit tenton t’i zbehë perceptimet e zyrtarëve qeveritarë dhe publikut për efektet negative të duhanit, duke ekzagjeruar rëndësinë ekonomike të kësaj industrie dhe duke injoruar kostot shëndetësore, mjedisore dhe sociale që shkakton duhani.
Spahiu theksoi që industria e duhanit shfrytëzon odat ekonomike, si Odën Ekonomike të Kosovës (OEK) dhe Odën Ekonomike Amerikane të Kosovës (OEAK), për të ndikuar në politikat publike, për të dobësuar dhe penguar zbatimin e politikave të kontrollit të duhanit që mbrojnë shëndetin e qytetarëve.
“Këto politika shëndetësore bien ndesh me interesat e industrisë së duhanit që synojnë të ruajnë dhe rrisin numrin e duhanpirësve dhe përfitimet ekonomike vetjake të saj”, tha Spahiu.
Ndërsa, përfaqësuesja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë – Isme Humolli, tha që industria e duhanit përpiqet të ndërhyjë në të drejtën e qeverive, duke i shpier kështu qeveritë nëpër gjykata.
Humolli tutje tha është momenti i fundit që Kosova të ndërmarrë hapa konkret në drejtim të zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit. Kurse, Faik Hoti, nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës theksoi që Kosova vazhdon të përballet me sfida në përparimin e politikave të kontrollit të duhanit për shkak të ndërhyrjeve të vazhdueshme të industrisë së duhanit. Por, Hoti shtoi që numri i duhanpirsëve në Kosova ka rënë dukshëm.
Siç tha, vetëm një e katërta e popullsisë në vend është duhanpirëse. Në anën tjetër, Këshilltari i Ministrit të Shëndetësisë, Egzon Azemi, tha që vetëm gjatë muajit janar janë ndarë 520 gjoba për mosrespektim të Ligjit për Kontrollin e Duhanit. Sipas tij, prej tash e tutje, gjobat që jepen nga inspektorët sanitarë do të procedohen direkt nga Oda e Përmbaruesve. Ndërsa, gazetarja Natyra Rushiti gjatë prezantimit të gjetjeve të raportit, u shpreh që ndërhyrja e industrisë së duhanit ka ndikuar në vonimin e aprovimit të UA-së për Vërejtjet e Kombinuara dhe në vazhdimin e tregtimit të produkteve të duhanit pa paralajmërime të duhura shëndetësore, duke pamundësuar që popullata e Kosovës të informohet në mënyrë më të plotë për rreziqet e konsumimit të duhanit.
Si gjetje e raportit, ishte edhe fakti që industria e duhanit ka tentuar të ndërhyjë edhe në dispozitat kyçe të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, sikur që është rasti i kundërshtimit të nenit që ndalon shfaqjen e produkteve të duhanit në pikat e shitjes dhe rasti i ndikimit te qeveritë e kaluara për të ndryshuar politikat e tatimeve mbi duhanin, në favor të bizneseve specifike brenda sektorit të duhanit.
Një aspekt tjetër i strategjisë së industrisë për të shpërfaqur një imazh të favorshëm në sytë e publikut është sponsorizimi i ngjarjeve dhe çmimeve për gazetarë, si çmimi “Vangjush Gambeta”.
Njëzëri, të gjitha palët u zotuan se duhet të punojnë më shumë në krijimin e një mjedisi publik të shëndetshëm dhe të mbrojnë politikat e shëndetit publik nga ndërhyrja e industrisë së duhanit.