Kanë përfunduar takimet në mes të emisarit Special të BE-së, Miroslav Lajçak, me kryeministrin, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi.
Pas takimit te përbashkët me Kurtin dhe Bislimin, Lajçak ka takuar ndaras zëvendëskryeministrin Bislimi.
Edhe takimi i ndarë më të ka përfunduar, pasi Bislimi është parë duke u larguar nga Qeveria.
Mirëpo, Lajçak është ende brenda objektit te ekzekutivit.
Ndryshe po ashtu gjatë ditës, edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka pritur në takim përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajčák.
Në këtë takim Osmani ka kërkuar nga Lajçak heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian (BE) ndaj Kosovës.
“Presidentja Osmani ritheksoi nevojën e heqjes së masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog. Në këtë drejtim, ajo përsëriti se Kosova ka ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, duke miratuar edhe udhëzimin administrativ, ndërkaq theksoi pritjet e saj që kjo e drejtë e qytetarëve të realizohet pa vonesa e në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Osmani po ashtu theksoi se Gjykata Kushtetuese është institucioni i vetëm që mund ta interpretojë draft statutin e Asociacionit.
Sipas njoftimit, e para e vendit i ka ritheksuar shqetësimet që i ka për këtë draftstatut.