Shtëpia e Bardhë zotohet se do t’i kundërpërgjigjet sulmit për të cilin fajëson Iranin

SHBA -të thonë se nuk po kërkojnë luftë me Iranin pas sulmit në Jordani. Presidenti Biden ka paralajmëruar kundërpërgjigje. Kongresi gjithashtu po bën presion për një reagim kurse Irani ka mohuar përgjegjësinë

Presidenti Biden duke u informuar në sallën operacionale të Shtëpisë së Bardhë (30 janar 2024)

Shtëpia e Bardhë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës thotë se nuk kërkon luftë me Iranin, ndërsa Presidenti amerikan Joe Biden u zotua për një kundërpërgjigje ndaj sulmit me dron që vrau tre ushtarakë amerikanë në Jordani, sulm për të cilin Uashingtoni fajëson grupimet paraushtarake të mbështetura nga Irani. Kongresi po ushtron trysni ndaj Shtëpisë së Bardhë që të kundërpërgjigjet. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, kjo mund të përshkallëzonte dhe zgjeronte konfliktin e shkaktuar nga sulmi i Hamasit ndaj qytetarëve izraelitë më 7 tetor.

Shtëpia e Bardhë gjendet nën trysni për t’u kundërpërgjigjur pasi një sulm me dron vrau tre ushtarakë amerikanë në Jordani, veprim për të cilin Uashingtoni fajëson milicitë e mbështetura nga Irani në Siri dhe Irak.

Zyrtarët amerikanë u shprehën se pas sulmit qëndron Irani, por nuk dhanë detaje për hapat që do të ndërmerren.

“Nuk do të ndërmarr sulme këtu nga podiumi dhe as nuk do t’i paraprij vendimmarrjes së presidentit. Siç e thashë dje, ne do të kundërpërgjigjemi. Do ta bëjmë në kohën e duhur dhe në mënyrën që do të zgjedhë presidenti, si komandant i përgjithshëm. Dhe do ta bëjmë këtë plotësisht të ndërgjegjshëm për faktin se këto grupe, të mbështetura nga Teherani, kanë marrë jetët e ushtarakëve amerikanë”, tha John Kirby, i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Por zoti Kirby saktësoi se një gjë është e qartë.

(2/3)
John Kirby duke folur nga Shtëpia e Bardhë (29 janar 2024)

“Nuk kërkojmë luftë me Iranin. Nuk kërkojmë konflikt ushtarak me regjimin”, tha ai.

Të hënën, zyrtarët iranianë mohuan përgjegjësinë.

“Nuk kërkojmë tensione as me Amerikën, brenda apo jashtë rajonit. Republika Islamike e Iranit beson seriozisht tek zgjidhjet politike për mosmarrëveshjet ndërkombëtare apo rajonale”, tha Nasser Kanaani, zëdhënës i ministrisë së Jashtme të Iranit.

Kreu i NATO-s shprehu ngushëllimet të hënën në Uashington dhe akuzoi Iranin.

“Shohim se Irani vazhdon të destabilizojë rajonin. Irani ka gjithashtu përgjegjësinë për mbështetjen e terroristëve që sulmojnë anijet në Detin e Kuq. Sjellja e Teheranit na kujton se si do të ishte një botë pa rregulla: e paparashikueshme dhe e rrezikshme, një botë ku siguria jonë bëhet më e kushtueshme”, tha Jens Stoltenberg, sekretar i përgjithshëm i NATO-s.

Jens Stoltenberg duke folur gjatë një takimi me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin (Uashington, 29 janar 2024)

Është gjithashtu e qartë se sulmi erdhi si pasojë e operacionit të Izraelit në Gazë, pasi grupi militant Hamas bëri një sulm tronditës ndaj civilëve më 7 tetor. Analistët thonë se tashmë është bërë e qartë që strategjia amerikane nuk ka patur sukses.

“Është e qartë se strategjia amerikane e tre muajve të fundit, për të mos lejuar përshkallëzimin e tensioneve rajonale, ka dështuar”, thotë Bernard Hudson, ish punonjës i CIA-s.

Dhe në kryeqytetin e Jordanisë, larg bazës ku u bë sulmi me dron, banorët dhe analistët thonë se e ndjejnë që kjo përfaqëson një fazë të re të konfliktit.

“Ky sulm përfaqëson një dimension të ri të konfliktit. Sulmi ndaj forcave amerikane brenda Jordanisë, apo në kufirin jordanez, do të thotë se sulmet po shtrihen nga Siria dhe Iraku, tashmë në Jordani”, thotë analisti politik, Amer Sabaileh.

Cilat do të jenë hapat në vazhdim? Vendimi është tashmë në dorën e presidentit Biden.

“Humbëm tre njerëz kurajozë në sulmin ndaj bazës sonë. Kërkoj një moment heshtjeje për tre ushtarët tanë të rënë… Dhe ne do të përgjigjemi. Zoti ju bekoftë të gjithëve!”, tha presidenti Biden.

Historia e bazës amerikane që u godit në Jordani
Harta e vendndodhjes së postës amerikane Tower 22 në Jordani, ku tre trupa amerikane / amerikane u vranë në një sulm me dron të dielën.

Një bazë ushtarak amerikane në një zonë rurale të Jordanisë verilindore tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare pasi një sulm me dron vrau tre ushtarë amerikanë dhe plagosi të paktën 34 të tjerë. Para këtij sulmi dihej shumë pak për këtë bazë amerikane në shkretëtirën e Jordanisë.

Baza, e njohur si “Kulla 22”, ndodhet pranë zonës së çmilitarizuar në kufirin midis Jordanisë dhe Sirisë. Kufiri i Irakut është vetëm 10 kilometra larg bazës.

Në anën siriane të këtij rajoni të gjerë dhe të thatë, që quhet Rukban, në 2014 ishte ngritur një kamp refugjatësh për civilët e zhvendosur nga zonat që kontrolloheshin nga Shteti Islamik.

Në këtë kamp jetonin rreth 100 mijë njerëz, të cilët Jordania nuk i lejoi të hynin në vend nga frika se në mesin e tyre mund të kishte luftëtarë të grupit ekstremist. Këto shqetësime u rritën pas një sulmi me makinë bombë në vitin 2016 atje, në të cilin u vranë shtatë roje kufitare jordaneze.

Sipas OKB-së, me kalimin e kohës, numri i njerëzve në këtë kamp refugjatësh u zvogëlua në rreth 7500 për shkak të mungesës së furnizimeve.

Baza filloi si një pikë jordaneze e vëzhgimit të kufirit, por në 2015 atje pati një rritje të pranisë amerikane pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të dërguar trupa në Siri për luftën kundër grupit Shteti Islamik. Në këtë bazë të vogël janë dislokuar 350 ushtarë, duke përfshirë njësi të inxhinierisë, aviacionit, logjistikës dhe forcave ajrore të Shteteve të Bashkuara.

Baza amerikane “Tower 22” në Jordani.

Vendndodhja e bazës ka krijuar mundësi për hyrje dhe dalje më të lehtë nga Siria për forcat amerikane. Një garnizon i vogël amerikan në al-Tanf të Sirisë ndodhet vetëm 20 kilometra në veri të bazës “Kulla 22”. Kjo bazë ndodhet përgjatë një autostrade siriane që të çon në Irak dhe përfundimisht Mosul, dikur një qendër e Shtetit Islamik. Kjo është gjithashtu një rrugë e mundshme e dërgesave të armëve për Iranin.

Trupat amerikane e kanë përdorur prej kohësh Jordaninë, një vend që kufizohet me Irakun, Izraelin, territorin palestinez të Bregut Perëndimor, Arabinë Saudite dhe Sirinë, si një qendër të rëndësishme për operacionet e tyre në Lindjen e Mesme. Rreth 3000 trupa amerikane zakonisht janë të pranishme në të gjithë Jordaninë.

Megjithatë, prania e Shteteve të Bashkuara në Jordani rrezikon të zemërojë popullsinë që tashmë ka mbajtur protesta masive kundër luftës së Izraelit ndaj Hamasit në Rripin e Gazës, në të cilën, sipas zyrtarëve palestinezë të shëndetësisë, janë vrarë mbi 26 mijë civilë palestinezë. Sipas disa vlerësimeve, rreth 3 milionë nga 11.5 milionë banorët e Jordanisë janë palestinezë.

Protestat mund të kërcënojnë pushtetin e mbretit Abdullah II, një aleat i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara. Pas sulmit të së dielës, Jordania fillimisht mohoi njoftimet se baza “Kulla 22” ndodhej brenda kufirit të saj.

Shija e redaktorit

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Të fundit nga rubrika