Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, si dhe për mundësitë e thellimit tutje të bashkëpunimit Kosovë-Gjermani.
“Në këtë drejtim, presidentja Osmani dhe ambasadori Rohde biseduan për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, me ç’rast presidentja Osmani potencoi rëndësinë e veçantë që ky proces të përmbyllet me sukses”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, në takim u diskutua për një sërë nismash e projektesh të interesit të përbashkët, gjersa Osmani foli edhe për edicionin e dytë të Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, si një platformë për ta avancuar bashkëpunimin bilateral në drejtim të përmbushjes së kësaj agjende.