Vizita e Lajçakut këtë të marte në Kosovë, lehtësisht mund të jetë e fundit për të në rolin e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun.
Diplomatit sllovak pritet t’i përfundojë mandati përpara qershorit, dhe nuk dihet nëse për të do të ketë zgjatje të serishme të përgjegjësisë, pasi BE-në e pret një proces zgjedhor gjithashtu.
Por për aq sa ishte në këtë pozitë, për rolin e tij u polemizua shumë brenda e jashtë institucioneve të Kosovës.
Devijim klasik të misionit për të cilin ka qenë i thirrur e konsideron veprimtarinë e Lajçakut profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Dorajet Imeri.
Sipas tij diplomati evropian ka trajtuar Serbinë palë, e Kosovën temë, në dialog.
“Nëse ai do të mbahet në mend, është se Serbia ka bërë agresion dhe ai se ka thënë asnjë fjalë, ai ka thënë po ashtu që Kushtetuta e Kosovës, nuk është e shkruar në gur dhe mund të ndryshohet, ndërsa marrëveshja Kosovë- Sebri në parim nënkupton respektim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Unë e kujtoj si Serbia menjëherë pas marrëveshjes së Ohrit voton kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, dhe Lajcak nuk e thotë asnjë fjalë të vetme,” thotë Dorajet Imeri – Profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare/
Por Belgzim Kamberi nga Instituti Musile Kokalari megjithatë ka gjetur një sukses të tij në këtë proces teksa thotë se për njëanshmëri Lajçaku është akuzuar nga të dyja palët, ajo kosovare dhe serbe.
“Nëse mund ta konsiderojmë një nga sukseset e mandatit të tij është që megjithatë nën mandatin e tij është arritur një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, njëherë në Bruksel e pastaj në Ohër. Ndërkaq dështimi është se siç duket do ta përfundojë mandatin pa zbatimin e plotë të kësaj marrëveshjeje veçanërisht të pikave kryesore”, tha Belgzim Kamberi – Instituti Musine Kokalari.
Miroslav Lajçak është akuzuar disa herë nga Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij për njëanshmëri në procesin e dialogut teksa në një përgjigje për mediat Lajcak pati konfirmuar se ai ka një anë, duke thënë se është në anën e Bashkimit Evropian.