Gjatë ditës së martë bashkë me kryekuvendarin Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim opozitën shqiptare në Maqedoni të Veriut.
Siç njofton zyra e Kryeministrit, Kurti priti në takim Arben Taravarin, kryetar i Aleancës për Shqiptarët (ASh) dhe i komunës së Gostivarit, si dhe udhëheqësit e Lidhjes Evropiane për Ndryshim (LEN), Bilall Kasamin, kryetar i Lëvizjes BESA e i komunës së Tetovës, Izet Mexhitin, kryetar i Lëvizjes Demokratike dhe deputeti e Afrim Gashin, kryetar i Alternativës, po ashtu deputet.
Gjithashtu, në këtë takim ka marrë pjesë edhe Bekim Qoku, këshilltari i Kurtit.
“Në takim mori pjesë edhe këshilltari i kryeministrit, Bekim Qoku. Së bashku diskutuan për situatën në rajonin e Ballkanit, për fqinjësinë e mirë dhe perspektivën e partneritetit të rëndësishëm ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Kryeministri Kurti i njoftoi kryetarët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut për takimet e bisedat që ka pasur me krerët shtetërorë të Maqedonisë së Veriut dhe ata e njoftuan për zhvillimet politike atje”, thuhet në njoftim.
Më tej potencohet se temë e diskutimit ishte edhe situata shoqërore e ekonomike e komunitetit shqiptar në Maqedoni, “nevoja për demokraci e stabilitet, si dhe përmirësim e mbarëvajtje të raporteve mes komuniteteve etnike në atë vend, gjë të për të cilën Kosova vetë është shembull, por edhe e promovon dhe e mbështet”.
“Katër udhëheqësit shprehën propozimin e tyre për një president të Maqedonisë së Veriut, i cili mishëron bashkëjetesën mes etnive dhe garanton rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, president, i cili kësaj radhe duhet të vijë nga mesi i shqiptarëve”, përfundon njoftimi.
Kujtojmë se para pak ditësh në RMV është zgjedhur kryeministër teknik, Talat Xhaferi, nga BDI, kështu duke u bërë kryeministri i parë shqiptar në historinë e shtetit maqedonas.