Kryetari i Lëvizjes Demokratike në Maqedoni të Veriut, Izet Mexhiti, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbështet opozitën shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe se Lëvizja Vetëvendosja do të jetë pjesë e opozitës atje.
Sipas tij, VV-ja “defacto” është pjesë e opozitës shqiptare atje.
“Më konkret rreth bashkëpunimit, zoti Kurti dhe Vetëvendosja mbështet sërish opozitën shqiptare si edhe ma herët. Vetëvendosja është pjesë e opozitës shqiptare atje, dejure nuk do të jetë, sepse nuk është regjistruar në Maqedoni. Defacto, veç është pjesë e opozitës shqiptare, sepse opozita shqiptare është në kuadër të Lidhjes Evropiane për Ndryshim.
Veç jemi duke e përgatitur programin zgjedhor dhe atë janë duke punuar katër subjektet dhe përfaqësues të VV-së si Arbër Zaimi, Bekim Qoku dhe ekspertë të tjerë jemi në bisedime edhe me Taravarin”, ka thënë Mexhiti në “Debat Plus” në RTV Dukagjini.
Ndërsa, siç njoftoi zyra e Kryeministrit, gjatë së martës, Kurti priti në takim Arben Taravarin, kryetar i Aleancës për Shqiptarët (ASh) dhe i komunës së Gostivarit, si dhe udhëheqësit e Lidhjes Evropiane për Ndryshim (LEN), Bilall Kasamin, kryetar i Lëvizjes BESA e i komunës së Tetovës, Izet Mexhitin, kryetar i Lëvizjes Demokratike dhe deputeti e Afrim Gashin, kryetar i Alternativës, po ashtu deputet.
Kujtojmë se, para pak ditësh, në RMV është zgjedhur kryeministër teknik, Talat Xhaferi, nga BDI, kështu duke u bërë kryeministri i parë shqiptar në historinë e shtetit maqedonas.