Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në kuadër të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka takuar sot drejtorin kryesor për Evropën dhe Politikat e NATO-s në Zyrën e sekretarit të Mbrojtjes, Alton V. Buland.
Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se “Kosova dhe Ushtria e saj është gati të jetë anëtare në krah me Amerikën dhe shtetet tjera që janë pjesë përbërëse e Aleancës veriatlantike të NATO-s”.
“Nder i madh të vizitoj prapë Pentagonin dhe të takohem me z. Alton V. Buland, drejtor Kryesor për Evropën dhe Politikat e NATO-s në Zyrën e sekretarit të Mbrojtjes. Shfrytëzova rastin ta falënderoj Buland për angazhimin e madh që Ushtria dhe Qeveria Amerikane e ka tash e 25 vite në mbështetje të popullit të Kosovës dhe institucioneve të saj, në veçanti në ndihmën që i kanë dhënë forcimit të Ushtrisë së Kosovës”, shkroi ai.
Gjatë takimit me Buland, Haradinaj thekson se ka kërkuar që në rrafshin e bashkëpunimit Kosovë-ShBA, të ngritet dialogu strategjik për çështje bilaterale mes dy vendeve, në të njëjtën kohë të ndodhë anëtarësimi i Kosovës në NATO.
“Tash që jemi 25 vjet pas intervenimit të kësaj organizate të rëndësishme, ky do të ishte hapi i duhur i cili e ndihmon edhe sigurinë e brendshme, njëkohësisht stabilitetin dhe sigurinë rajonale”, shtoi më tej ai.