Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se në takim me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovës-Serbi, Miroslav Lajçak, nuk kanë diskutuar për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), vendim ky që i jep fund përdorimit të dinarit në Kosovë.
Derisa ka krahasuar çështjen e vendimit të BQK-së me çështjen e targave, ajo ka thënë se këto dy ditë do të ketë një dakordim dhe do të dalin më një deklaratë publike.
“Sa i përket dinarit, dje me Lajçak nuk kemi arritur ta diskutojmë këtë se kemi pasur shumë tema për dialogun… Neni 11 i Kushtetutës kërkon që Kosova në qarkullim dhe përdorim ta ketë vetëm një valutë. Është për keqardhje që kjo nuk është zbatuar deri tani, ashtu siç e kërkon Kushtetuta. Banka Qendrore e ka kryer punën e vet në përputhje me parimin e pavarësisë… Kurse sa i përket zbatimit në praktikë të këtyre parimeve, janë duke u diskutuar një sërë opsionesh që në njërën anë do të respektonin nenin 11 të Kushtetutës, por në anën tjetër do të lërë një kohë për informimin e qytetarëve dhe barten në llogari të reja në mënyrë që të mund të zbatohet pa asnjë problem dhe me përkrahjen e plotë të shteteve aleate..”, tha ajo.
Derisa ka krahasuar çështjen e vendimit të BQK-së me çështjen e targave, ajo ka thënë se në këto dy ditë do të ketë një dakordim dhe do të dalin më një deklaratë publike.
“Një shembull i tillë është edhe çështja e targave… Ky është problem i ngjashëm…”, tha ajo, duke shtuar se edhe në rastin e targave çështja kishte të bënte me mbrojtjen e sovranitetit dhe kushtetutshmërisë.
“Do të ketë një dakordim këto dy ditë dhe do të kemi edhe deklarata publike… Jam për atë që zbatimi të jetë i plotë dhe jo veç në letër dhe për të pasur zbatim të plotë na duhet edhe përkrahja e aleatëve në mënyrë që të kemi qëndrueshmëri… mund të bëhet edhe njëra edhe tjetra…”, tha ajo.
E pyetur nëse po aludon në shtyrje të vendimit, ajo tha se po aludon në një diskutim që ende është duke vazhduar.
“Dhe i cili jam e bindur se do të gjejë një zgjidhje praktike në mënyrë që Kushtetuta jonë të zbatohet edhe në praktikë në çdo cep të Republikës, e jo vetëm të kemi dokumente zbatimi i të cilave pastaj sfidohet. Kushtetuta është mbi të gjitha, por aleatët tanë nuk janë kundër Kushtetutës sonë. Kushdo që sugjeron një gjë tillë nuk e njeh historinë e Republikës së Kosovës…. Historia e Kosovës, si shtet i pavarur e sovran është arritur me sakrificën e heronjve tanë, por edhe me mbështetjen e aleatëve që po punojnë bashkë me ne për shtrirjen e sovranitetit në veri”, tha ajo.