Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë homazhe te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, në 27-vjetorin e rënies së tyre.
Osmani i quajti nismëtarë të lirisë dhe frymëzues të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Sot nderojmë heronjtë tanë Zahir Pajazitin, Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, heronjtë e lirisë sonë në 27-vjetorin e rënies së tyre në altarin e lirisë. Ata ishin nismëtarët e lirisë, frymëzues të UÇK-së, nëpërmjet guximit, trimërisë dhe sakrificës inspiruan me mijëra djem e vajza të UÇK-së dhe ndërtuan themelet e forta për shtet të pavarur dhe sovran që e gëzojmë sot. Ata dëshmuan që çmimi i lirisë është shumë i lartë, por është çmimi që populli i Kosovës nëpërmjet sakrificës së vetë e pagoi duke e ditur që liria dhe pavarësia dhe shteti që e gëzojmë është shtet i cili do t’i nderojë përgjithmonë, është shtet që do të vazhdojë të përparojë dhe është shtet që udhërrëfyes të vetëm e ka trimërinë dhe sakrificën e heronjve që dhanë jetën për vendin tonë”, ka thënë Osmani.
Homazhe te shtatorja e Zahir Pajazitit në Prishtinë ka bërë edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, bashkë me zyrtarë të tjerë të partisë.
Më 31 janar të 1997-s, komandanti Zahir Pajaziti, së bashku me bashkëluftëtarët Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, ranë në pritë nga forcat serbe në fshatin Pestovë të Vushtrrisë.