Musa Damati, avokati i deputetit të AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se 53 milionë euro nuk kanë përfunduar në llogarinë e klientit të tij.
Sipas tij, akti akuzues i Prokurorisë Speciale të Kosovës nuk ka arritur të zgjidhë misterin e 53 milionë eurove.
“Asnjë cent”, sipas tij, nuk është gjetur në konton e Lekajt, edhe pse ka pasur një hetim ndërkombëtar se ku shkuan 53 milionë.
“Dhe gjatë seancave gjyqësore ne e kemi potencuar këtë, akti akuzues i PSRK-së, i Prokurorisë Speciale nuk ka arritë me zgjidhë misterin e 53 milionëshit. Pra, 53 milionëshi nuk ka përfunduar në llogarinë bankare të klientit tim”, ka thënë Damati në “Debat Plus”.
Leka, gjatë ditës së mërkurë, është dënuar me 3 vjet e tetë muaj burgim për rastin e ndarjes së 53 milionë eurove shtesë konsorciumit “Bechtel-Enka”, për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.