Të martën është “Dita Botërore pa duhan”, e cila është shënuar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, është shënuar Dita Botërore pa Duhan.
Në njoftimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike thuhet se: “Gjithashtu, u tha se pirja e duhanit është shkaktari kryesor i sëmundjeve dhe vdekjeve të parakohshme, është shkaktari i dytë i vdekjeve në botë, ku çdo vit në botë vdesin rreth 8 milion njerëz, si pasojë e tymosjes së duhanit, numër ky që bazuar në trendin aktual, pritet të dyfishohet gjatë 20 vjetëve të ardhshme. Çdo 6.5 sekonda në botë vdes një njeri nga dëmet që sjell tymosja e duhanit”.
Naser Ramadani, Drejtori i Institutit Kombëtar ka thënë se IKSHPK do të vazhdojë të realizojë hulumtime si GYTS, STEPs dhe të tjera relevante. Këto hulumtime sigurojnë evidencë mbi bazën e të cilave mund të ndërmerren intervenime dhe hartohen politika për ruajtjen dhe përparimin e shëndetit të popullatës, dhe kategorive vulnerabile të saj.
Ramadani ka thënë se për këtë qëllim janë organizuar aktivitete të shumta, duke përfshirë aktivitetet nëpër shkolla, porosi dhe këshilla për parandalimin e konsumimit të duhanit dhe shpërndarjen e materialeve edukativo shëndetësore në qytete.
Zëvendësministre e Shëndetësisë, Dafina Gexha, ka thënë se nga viti 2013 kur Kosova ka miratuar Ligjin për Kontrollin e Duhanit ka dhënë dëshmi të qarta se kur ka një bashkëveprim të mirë të institucioneve, shoqërisë civile dhe vet qytetarëve, mund të bëhen ndryshime të pa imagjinueshme në fushën e shëndetit publik.
Fusha e shëndetit publik mund të përmirësohet duke u mbrojtur përmes ligjit nga pasojat shkatërruese shëndetësore, sociale, ekonomike dhe mjedisore.
“Disa vjet pas, ne shohim rënie të ndjeshme të disiplinës për zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit, i cili pavarësisht shkeljeve që i bëhen ka sjellë një kulturë të re edukative në shoqërinë tonë”, ka thënë Zëvëndësministrja e Shëndetësisë.
“Duke prodhuar efekte në uljen e konsumit në mesin e të rinjve, siç tregon edhe Hulumtimi gjithëpërfshirës i duhan-pirjes tek të rinjtë GYTS II, i cili gjeti se në mesin të rinisë të moshës 13-15 vjeç, konsumi i duhanit nga 6.7% sa ishte para hyrjes në fuqi të ligjit, kishte rënë në 4.4% më 2016, derisa duhan-pirja pasive ishte përgjysmuar, nga 84% në 43%”, ka thënë Dafina Gexha.
“Prevalenca e duhan-pirjes në Kosovë mbetet ende e lartë me rreth 28%-30% të popullatës së rritur që konsumojnë duhan, ku burrat janë konsumues më të mëdhenj të këtij produkti, por që fatkeqësisht është vërejtur rritje e konsumimit edhe në mesin e gjinisë femërore, përfshirë këtu edhe shtatzëna”, ka shtuar Gexha.