Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka kundërshtuar projektligjin e dorëzuar nga Qeveria e Kosovës në Kuvend, i cili synon që video dhe audiomaterialet e publikuara në platformat për shpërndarjen e videove dhe mediat online të kontrollohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM).
Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, ka deklaruar se ky ndryshim ligjor shihet si një përpjekje e Qeverisë për t’i sulmuar dhe kontrolluar mediat.
Ai ka shtuar se është një përpjekje për t’i nënshtruar mediat online licencimit të veçantë, duke e shikuar si sulm ndaj lirisë së mediave.
Po ashtu, ai ka kërkuar tërheqjen e projektligjit, duke thënë se janë të hapur për dialog me qeverinë dhe shoqërinë civile për të arritur një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët.
“Ndryshimet, të cilat janë propozuar, ne i shohim si një përpjeke e re e qeverisë aktuale që t’i sulmojë mediat dhe si një tendencë për t’i kontrolluar ato. Sepse parashihet që pra KPM-ja t’i kontrollojë t’i monitorojë ose t’i ndëshkojë nëse ka nevojë mediat online që kanë përmbajtje të videove, duke përfshirë edhe nevojën që ato të licencohen në mënyrë të veçantë dhe ne e shohim si një tjetër përpjekje dhe sulm të qeverisë ndaj lirisë së mediave, sepse konsiderojmë që vetërregullimi i tashëm duhet të vazhdojë dhe të merret parasysh konteksti lokal i zhvillimi të mediave. Dhe një herë e ftojmë Qeverinë e Kosovës të tërhiqet nga këto ndryshme, t’i ftojë në dialog të gjithë akterët e interesuar, mediat, shoqërinë civile, në mënyrë që të jenë në gjendje ta bëjnë punën e tyre pa presion politik”, ka deklaruar Rexha, raporton Dukagjini.
Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka theksuar se projektligji ndryshon radikalisht rregullat e mediave online në Kosovë.
Kusari ka thënë se përmes këtij ligji qeveria aktuale po përpiqet që t’i kontrollojë mediat.
“Projektligji për KPM-në është aprovuar në mbledhjen e qeverisë katër ditë para vitit të ri, dhe pastaj është publikuar online në faqen e Zyrës së Kryeministrit vetëm pas kërkesës sonë që ky ligj të bëhet publik. Për herë të parë ndryshon radikalisht mënyra e rregullimit të mediave online që publikojnë video, e ne e dimë që të gjitha gati publikojnë video. Na sistemi i vetërregullimit, të cilin e kemi ne në Kosovë dhe e cila konsiderohet e suksesshme, në rregullimin shtetëror duke i detyruar ato që për herë të parë t’i nënshtrohen licencimit shtetëror, secila media online që dëshiron të publikojë video, do të duhej të aplikojë për leje te KPM-Ja nëse projektligji aprovohet”, ka deklaruar Kusari.
Ajo ka bërë thirrje për të tërhequr ligjin dhe ka bërë thirrje për bashkëpunim në hartimin e një ligji që i përmbush kërkesat e të gjitha palëve.
“Ne kërkojmë nga Zyra e Kryeministrit që ta tërheqë projektligjin nga ana e Kuvendit, jemi shumë të interesuar dhe këtë interesim e kemi shprehur para një viti e gjysmë që të bëhemi pjesë e procesit para një viti e gjysmë. Në qeveritë e kaluara ka pasur raste kur përfshirja e shoqërisë civile ka rezultuar më ligje shumë të mira. Ne jemi të hapur me bashkëpunim, me draftu një ligj të mirë që i përmbush edhe kërkesat e qeverisë dhe të sektorit të mediave”, ka thënë ajo.
“Edhe kërkojmë që KPM-së një institucion historikisht i ndikuar politikisht, me disa përjashtime, të mos i zgjerohen kompetencat, ata duhet të fuqizohen në mënyrë që të bëjnë punën e tyre si duhet me radio dhe televizione, ata nuk kanë mundësi ta kryejnë atë veprimtari të tyre për shkak të buxhetit e tjera, dhe vetëm kur të fuqizohet KPM-ja, atëherë mund të flasim për ndonjë ndryshim eventual të sistemit të rregullimit të mediave, shpresojmë që projektligji do të tërhiqet dhe ne do ta konsideronim si mbyllje të kësaj iniciative”, ka deklaruar tutje Kusari.
Projektligj i dorëzuar më 27 janar të vitit 2023 parasheh që platformat për shpërndarje të video-materialeve dhe mediat online t’i nënshtrohen regjistrimit nga KPM-ja nëse dëshirojnë të publikojnë audio dhe videomateriale.
Neni 4 saktëson se për të shpërndarë video, platformat për shpërndarje të videove dhe mediat online duhet t’i nënshtrohen aplikimit për regjistrim respektivisht licencimit në KPM, proces ky që kërkon një certifikatë biznesi në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) dhe vërtetime nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).
Mediat online deri më tani funksiononin si biznese pa nevojë për regjistrim pranë KPM-së, ndërsa dëshmonin zotimin për etikë, duke qenë anëtarë të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK).