Në stërvitjen e Llapit dëgjohej vetëm zëri i Tahir Batatinës.
Futbollistët dukeshin të motivuar, pa mëdyshje i bindeshin urdhrave të tij.
Trajneri nga Podujeva po mendon për titullin e kampionit, andaj nuk ka kohë për të humbur.
“Gjithmonë në Pranverë Llapi ka qenë arrë e fortë për kundërshtarë. Besoj që do të jemi edhe më të fortë se në vitet që lamë pas. Unë asnjëherë nuk deklaroj se nuk kam skuadër të mirë, më mungon kjo apo jo. Jemi në nivel të njëjtë me Dritën dhe Ballkanin. Pse jo në fund të sezonit të arrijmë objektivin dhe të shpallemi kampion”, ka thënë ai.
Nëse e arrin qëllimin e madh, Batatina me shumë mundësi do e vazhdojë karrierën jashtë Kosovës.
Teksa, diçka të madhe po mendon të arrijë edhe në garat evropiane me skuadrën e tij aktuale.
“Nëse bëhemi kampion, me shumë mundësi do të bëj lëvizje. Trajnerët tanë kosovarë kanë punuar pak, nuk e kanë thyer tabunë që të dalin jashtë dhe të tregojnë vlerat e tyre. Kam refuzuar shumë skuadra të mira, por lëvizjën mund ta bëjë vetëm te ndonjë skuadër e mirë. Nuk shkoj të bëj aventura. Ne jemi me një këmbë në Evropë, por duhet punojmë shumë. Me cilësinë që ka Llapi, besoj që do të tejkalojmë atë që ka bërë Ballkani”, u shpreh Batatina.
Se bardhekaltërtit synojnë shumë këtë sezon, e tha edhe gardiani i portës, Ilir Avdyli.
“Llapi ka bërë performancë të mirë në sezonin vjeshtor. Por, jemi përgatitur mjaftueshëm që të vazhdojmë me të njëjtin ritëm edhe në Pranverë”, tha ai.
Llapi gjendet në pozitën e dytë në tabelë me 34 pikë, gjashtë më pak se Ballkani që është lider.
Ndeshjen e parë në sezonin pranveror do e zhvillojnë kundër Dritës, e cila është e treta, por me pikë të njëjta.